Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar dhe arrestuar sot nga njësia e policisë ushtarake e Forcave të Armatosura serbe “Kobra”. Lajmi fillimisht u dha në mediumin “Novosti”, i afërt me presidentin serb Vuçiq.

Informacionin për arrestimin e tre policëve nuk e kanë konfirmuar akoma autoritetet e Republikës së Kosovës, mirëpo Gazeta Express mësoi nga burimet e saj se tre policët janë kidnapuar dhe më pas janë nisur për në Beograd.

Kidnapimi i tyre ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës si dhe vetura është gjetur brenda territorit tonë.

Video e momentit kur kidnapohen tre policët e Kosovës

Tre pjesëtarë të Policisë Kufitare të Kosovës, janë kidnapuar sot në territorin e Kosovës, në afërsi të Leposaviqit në rrugë ilegale.

Në një faqe në Twitter para pak çastesh, është publikuar me video momenti i arrestimit të policëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se Serbia “ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë”.

Sveçla tha se kjo është shkelje e çdo marrëveshje dhe kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.

“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, shkroi Sveçla në Facebook.