Rezidenca e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Florida është kontrolluar nga agjentët e FBI-së.

Mediat e huaja shkruajnë se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, teksa janë publikuar edhe pamje nga momentet kur makina e FBI-së qëndron jashtë shtëpisë së Trump.

Ndërkohë një zyrtar qeveritar reagoi pas deklaratës së Trump dhe tha se përdorimi i fjalës “bastisje” nga ish-presidenti nuk është i përshtatshëm në këtë kontekst, duke vënë në dukje se ata “nuk thyen dyert”, por përkundrazi “ekzekutuan një urdhër kontrolli”.

Ndërsa një tjetër zyrtar i lartë amerikan tha se agjentët e FBI-së qëndruan në rezidencën e zotit Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach “për shumicën e ditës”.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka kontrolluar në dosjet me të dhëna që përmbajnë informacion të klasifikuar që u dërguan në Mar-a-Lago pas përfundimit të presidencës së zotit Trump.

Një hetim i veçantë në lidhje me përpjekjet e aleatëve të Trump për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe trazirat e 6 janarit në Kapitolin e SHBA në 2021 është intensifikuar gjithashtu në Uashington.

Ishte Trump i pari që dha lajmin se shtëpia e tij “po bastisej”.

“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur, Mar-A-Lago në Palm Beach, Florida, është aktualisht nën rrethim, bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së”, tha ai.

“Asgjë e tillë nuk i ka ndodhur kurrë më parë një presidenti të Shteteve të Bashkuara”, shprehej Trump në deklaratën e lëshuar për mediat.

Trump nuk ishte në Mar-a-Lago në atë kohë dhe mësohet se ishte në Trump Towers, rezidenca e tij në Nju Jork.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim. Kontrolli ka të ngjarë të jetë miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm.

Burime të shumta po e lidhin urdhrin e kontrollit me dokumente të klasifikuara, por FBI nuk po bën asnjë koment në këtë fazë.

Për të marrë një urdhër kërkimi, prokurorët duhet të përcaktojnë shkakun e mundshëm të krimit dhe më pas të bindin autoritetet se ai është i justifikuar.

Një prokuror i jep një deklaratë nën betim një agjenti të FBI-së dhe më pas shqyrtohet me kujdes nga një gjykatës federal.

Trump është duke u hetuar mbi pretendimet se ai keqpërdor informacione të klasifikuara dhe për bastisjen e 6 janarit në Kapitol.

Por askush nuk priste që të shihte agjentë të FBI-së duke bastisur shtëpinë e një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara.

Duhet të dini:

Në shkurt, Arkivi Kombëtar, agjencia e qeverisë amerikane që menaxhon ruajtjen e të dhënave presidenciale, i kërkoi departamentit të drejtësisë të hetojë Trump për trajtimin e dokumenteve zyrtare.

Presidentëve të SHBA-së u kërkohet me ligj që të transferojnë të gjitha letrat, dokumentet e punës dhe emailet e tyre në Arkivin Kombëtar

Arkivi Kombëtar thotë se ka marrë 15 kuti nga Mar-a-Lago, disa prej të cilave përmbanin të dhëna të klasifikuara

Trump po përgatitet për një kandidim të tretë presidencial në vitin 2024