Nga Athina ka ardhur një tjetër kërcënim lidhur me çështjen e Fredi Belerit. Ministri grek i Punës, Adonis Georgiadis ka paralajmëruar se Greqia do të bllokojë çdo financim europian për Shqipërinë nëse Fredi Beleri nuk lejohet të betohet si kryebashkiak i Himarës.
Në një intervistë për televizionin grek ERT, Georgiadis ka deklaruar se “shteti fqinj ta harrojë kursin europian nëse pengon betimin e Belerit”.
Ministri grek bëri thirrje që Shqipëria të rishikojë qëndrimin e saj, teksa vlerësoi se mungesa e ftesës për kryeministrin Rama në konferencën informale në Athinë për Ballkanin Perëndimor, është një mesazh i qartë.
Sot dhe nesër në Athinë mbahet konferenca informale për Ballkanin Perëndimor. Kryeministrit Rama nuk i është dërguar ftesë nga Mitsotakis, por në vend të tij është ftuar Presidenti Bajram Begaj. Ky i fundit nuk do të shkojë, siç tha ai, për shkak të takimeve të planifikuara më parë në axhendën e tij.