Oligarku Samir Mane merr lejen tjetër për kompleks vilash në Tiranë, ndërkohë që fshatarët e zonës nuk gëzojnë dot pronën e tyre
KKT ka miratuar një mori kullash të tjera në qendër të Tiranës duke mbytur kështu ajrin për banorët e njërit prej kryqyteteve më të ndotur në rajon, ndërkohë që pjesa më e madhe e lejeve të dhëna i përkasin pikërisht oligarkëve pranë qeverisë.
Një pjesë e mirë e kompanive janë “1 milion lekëshe” me burime të dyshimta financimi, tjë cilat kanë marrë leje për ndërtim kullash, siç është për shembull Top Seven Construction që do të ndërtojë një kullë 35 kate, ndërkohë që në listën e qeverisë kësaj radhe nuk mund të mungonte oligarku i përhershëm Samir Mane, të cilit i është dhënë leja e radhës për një kompleks vilash në farkë.
Sipas lejes së miratuar nga KKT, kompania “Rolling Hills By The Lake” sh.p.k. nën pronësi të oligarkut Samir Mane do të ndërtojë një kompleks vilash në Farkë, ndërkohë që shumë banorë të zonës ankohen se as nuk mund ta shesin pronën apo ta japin për zhvillim nëse nuk i jep leje oligarku.
“Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks me objekt shërbimi 1-3 kate dhe vila banimi 1, 2 dhe 3 kate mbi tokë, me 1 kat nëntokë, me pishina dhe mur rrethues”, me vendndodhje në njësinë strukturore FA/47, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Rolling Hills By The Lake” sh.p.k”, thuhet në lejen e lëshuar nga KKT.
Leje po ashtu mori edhe i preferuari i Berishës dhe biznesmeni që njihet si njeriut i Shkëlzenit, Shkëlqim Beshiri, i cili ndërton prej vitesh në Tiranë nën mbrojtjen e “babait” dhe të “birit” si edhe nën komandën e Ramës e Veliajt, ashtu si edhe Samir Mane, i cili nuk dihet në fakt nëse është i komanduar apo komandant.
Beshiri rezulton të ketë për momentin (deri sa trafikanti i radhës të marrë lejen) kullën më të lartë në Tiranë, plot 65 kate, 5 kate më të lartë dhe oligarku tjetër, Agron Papuli.
Shoqëria e zotëruar prej tij, Klar, shpk ka marrë lejen e zhvillimit për ndërtimin e një objekti me funksion të përzier, banim dhe hoteleri. Struktura e emërtuar “Godinë Banimi, Shërbimi dhe Hotelerie 4, 5, 23, 24, 57, 58 dhe 65 mbi tokë me 6 kate nëntokë”, do të ndërtohet në Bulevardin e Ri duke u bërë kështu ndërtesa më e madhe në Shqipëri. /gazetajonë