Shumë institucione, jo vetëm në nivel drejtorie, por shpesh herë edhe ministri në vitet e fundit kanë futur në praktikë tenderat për makina me qira. Në sy të parë nuk ka asgjë të keqe kur duhet të plotësohet një nevojë, por jo në të gjitha rastet ndodh kështu.

Kanë qenë të shumtë tenderat që janë denoncuar, kur makinat e marra me qira do të ishte më e leverdishme për institucionin që të bliheshin sesa të harxhoheshin miliona lekë dhe në fund makina i mbetej kompanisë. Atëherë këtu lindin dyshimet se kemi të bëjmë hapur me qoka për përfitime.

Për këto raste, pavarësisht denoncimeve deri tani nuk kemi dëgjuar që të ketë pasur hetime. Megjithatë të kthehemi te një rast i fundit ku janë hapur procedurat për tenderin për automjete me qira. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural që drejtohet nga Oltjon Muzaka ka vendosur në dispozicion 150 milionë lekë për makina me qira.

Procedura është hapur sot dhe mbyllet në fund të majit për t’u shpallur më pas fituesi. Publikohen dokumentet e tenderit ku specifikohet pesë makinat me qira do të përdoren në gjysmën e dytë të këtij viti, vitin tjetër dhe gjysmën e vitit 2025.

Por a do të ishte e mundur që me 150 milionë lekë, pa TVSH, të bliheshin pesë makina që të ishin në përdorimin e AZHBR-së jo për dy vite në total, por gjithmonë?