ONE Albania operon si agjenci spiunazhi ? Pergjohen bisedat e gazetarëve: A janë të sigurta telefonatat e klientëve?
Siguria e të dhënave dhe bisedave telefonike është një problem i madh aktualisht në Shqipëri, ku çdokush ka gjithçka për çdokënd duke filluar nga numrat e telefonit, paga, llogaritë bankare, targat e makinave, etj, por duket se gjëndja në këtë drejtim sa shkon dhe përkeqësohet pasi tashmë kanë filluar edhe vetë kompanitë celulare të përgjojnë apo regjistrojnë bisedat e klientëve të tyre.
Gjatë mëngjesit të sotëm në disa portale online kanë dalë bisedat e gazetarëve Elvi Fundo dhe Anila Basha teksa flasin me sa duket me agjentët e marketingut të One Albania.
Duke mos dashur të futemi te përmbajtja e bisedave si edhe shkaqet e publikimit të tyre në këtë moment, gjë e cila u takon palëve të flasin për to, pasi nuk është ky thelbi i këtij shkrimi, na duhet të ndalemi te veprimi flagrant i përgjimit apo regjistrimit të bisedave të tyre.
Nga bisedat duket se gazetarët ose janë përgjuar nga kompania ONE Albania teksa flasin me punonjësit e kësaj të fundit, ose janë regjistruar nga vetë punonjësit e kompanisë ONE Albania.
Përtej përmbajtjes së këtyre bisedave, vetë kompanisë ONE Albania i takon të japë shpjegime se si është e mundur që përgjohen apo regjistrohen kaq lehtë dy gazetarë, apo qoftë edhe dy klientë dhe më pas bisedat e tyre shpërndahen nëpër mediat online.
Kjo është ajo që është shumë shqetësuese pasi duket se ka filluar një praktikë e ndaluar e përgjimit/ regjistrimit të bisedave në telefon dhe më pas shantazhi dhe apo publikimi i tyre për qëllime denigrimi.
Këtë mund ta bëjnë prokuroria (me ligj), agjencitë e spiunazhit apo partitë politike (pa ligj) por është skandal më i madh kur e bëjnë kompanitë e telekomunikacioni pasi shkatërron çdo lloj besimi të klientëve, bisedat e të cilëve po ashtu mund të regjistrohen dhe hidhen në qarkullim.
Sa i përket përmbajtjes së bisedave, personazhet, klientelizmin e njohur të drejtoreshës së marketingut të ONE Albania në shpërndajen e reklamës dhe gjëra të ngjashme, u takon atyre të shpjegojnë, kurse kompania duhet të shpjegojë: A përgjohen bisedat e klientëve të saj?
/Gazeta Jonë
ONE Albania pergjohen bisedat ONE Albania pergjohen bisedat