Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka inspektuar zonën e Farkës ku grupi i autorizuar me VKM po merret me konfiskimin e objekteve të ndërtuara pa leje ose për objekjte ku janë bërë shtesa pa leje.
Çuçi njoftoi se grupi verifikues kishte konstatuar një tjetër ndërtesë me 1200 metra katrorë pa lejen e posaçme, duke shtuar se pronarit të këtij objekti do i lieshin dy mundësi, parablerja e shtesës me çmimin e tregut ose ta dhurojë për shërbimet sociale.
“Jemi në zonën e Farkës, ku grupi verifikues në zbatim të VKM-së së fundit për konfiskimin e shtesave pa leje ka verifikuar një ndërtesë tjetër që ka rreth 1200 metra katrorë jashtë lejes. Këtij subjekti do ti lëmë dy opsione: i pari është ta parablejë shtesën me çmimin e tregut të indeksuar dhe këto para do të shkojnë në dispozicion të agjencisë së shpronësimeve. I dyti është që ta dhurojë këtë shtesë dhe në këtë rast këto kate dhe shkojnë për shërbimin sosial.
Nëse nuk zgjedh asnjë nga këto opsione, do të konfiskohet për interes publik. Nëse zgjedh opsionet e para fillojnë procedurat e legalizimit dhe shmanget edhe ndjekja penale. Ky është një mesazh i qartë dhe grupet do të vazhdojnë në të gjithë Tiranën dhe më pas në të gjithë Shqipërinë. Zbatimi i ligjit do të shtrihet në të gjithë vendin. Qëllimi jonë është të parandalojmë dhe të mos kemi më ndërtime pa leje. Ky fenomen të marrë fund më në fund”, tha Çuçi.