Gazetari Artan Hoxha thotë se në vendin tonë ka dy periudha ku ka një rritje të madhe të intensitetit të krimeve në Shqipëri, gushti dhe dhjetori.

Sipas tij “kjo vjen për shkak të ardhjes së emigrantëve dhe uljes së vigjilencës nga personat e përfshirë në krime, për shkak të festimeve”.

Hoxha u ka bërë apel policisë që të rrisë masat për të mbrojtur qytetarët dhe për të parandaluar sa më shumë të jetë e mundur ngjarjet kriminale.

Mes të tjerash Hoxha u ndal edhe tek fati i Ervis Martinajt, ku tha se bota e krimit pas kësaj ngjarje ka ndryshuar.

“Ai u rrëmbye dhe u zhduk dhe pas kësaj situate bota e krimit duket se ka rënë në një qetësi momentale”, u shpreh Hoxha për Abc.

Dosja hetimore për zhdukjen e Ervis Martinajt vijon të mbulohet me mister dhe nga hetimet paraprake të deritanishme nuk përjashtohet mundësia që 40-vjeçari i shumëkërkuar të jetë vrarë.

Hoxha ka treguar 5 qytetet që sipas tij janë në një situatë kritike përsa i përket krimit të organizuar, të cilat janë, Shkodra, Fieri, Vlora, Elbasani dhe Durrësi.

Sipas Hoxhës edhe pse situata momentalisht duke se është e qetë, më problematike vijon të mbetet Shkodra që sipas tij bandat kanë ende hesape të pa mbyllura mes tyre.

“Kemi një qetësi të rreme para furtunës. Kemi Shkodrën, që nuk është situata aq e qetë sa duket. Se situata është e ngrirë dhe jo e zgjidhur. Janë disa konflikte aty. Policia dhe Prokuroria nuk ka reaguar. Vrasja e Bardhok Pllanës, Fatbardh Licit. Vrasja e xhaxhai dhe babai të Asmer Bilalit. Thjeshtë nuk dalin më aq haptazi në qytet por janë aty në pritje. Është e rrezikshme situata” tha Hoxha.