Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim e ka derën e hapur në PD vetëm nëse kërkon falje për deklaratat e saj ndaj demokratëve.
Berisha tha në “Tv Klan” se PD mirëpret çdo diplomat të vendeve mike. Po ashtu, deklaroi se i fton të gjithë demokratët që kanë investimin e tyre në PD të vazhdojnë të qëndrojnë në selinë blu.
Berisha nuk e cilësoi kthimin e tij në parti një hap pas, përkundrazi sipas tij është bërë shembull për politikanë të tjerë jashtë vendit.
“Për këtë çështje unë jam shprehur. Dera e PD është e hapur për përfaqësuesit e vendeve mike. Zonja Kim duhet t’u kërkojë ndjesë demokratëve për barin që u serviri. Parrulla për hapjen e partisë ishte për një përpjekje të fuqishme gjatë muajve të ardhshëm që kjo parti të vendosë bashkëpunim me elitën më të mirë brenda dhe jashtë vendit. Të gjithë demokratët që kanë investimin e tyre në PD i ftoj të qëndrojnë në PD për të investuar më tej në parti. Papandreu dy muaj më parë vendosi të rikthehet. Mori 3%. Ai kur pa që po kthehet Berisha tha pse të mos kthehem edhe unë”, deklaroi Berisha.