Policia Rrugore e Tiranës ka publikuar pamjet e kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të kodit rrugor.

Në videon më poshtë mund të shihni disa nga momentet kur patrullat vihen në ndjekje të mjeteve që kanë konstatuar në shkelje dhe u bëhet thirrje të hapin krahun anash rrugës.

Ndërsa në disa momente të tjera, policia konstaton dhe paratë brenda dokumenteve që drejtuesit e makinave u japin policëve që të shmangin gjobën.

Sipas bluve të kryeqytetit, gjatë javës që lamë pas, nga shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë janë arrestuar dhe proceduar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, 33 persona.

Konkretisht, për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, për largim nga vendi i aksidentit apo për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Në javën që lamë pas, gjatë kontrolleve parandaluese, janë goditur 14 raste të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të mjetit apo pa vendosur rripin e sigurimit, 14 drejtues mjetesh të cilët për t’i shpëtuar masës administrative kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, duke iu ofruar shuma lekësh.

Gjithashtu është goditur dhe një rast i “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

Janë pezulluar 249 leje drejtimi, të ndara sipas shkeljeve:

48 për “Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit”,
186 për “Kufizimet e shpejtësisë”,
15 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Janë tërhequr 19 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjetit ose ishin të çrregjistruara në vendet e origjinës; janë bllokuar 26 mjete, për mungesë dokumentacioni.

Janë vendosur 6852 masa administrative, me një mesatare 977 masa të vendosura në ditë, konkretisht:

125 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike;

65 masa për mosrregullim të shpejtësisë/gara shpejtësie;

326 masa për parakalime të gabuara;

1146 masa për përdorim të aparatit të celularit gjatë drejtimit të mjetit;

418 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

132 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

2982 masa për qëndrim/pushim të gabuar të mjetit;

46 masa administrative për mungesë siguracioni;

1612 masa për shkelje të ndryshme.