ryeministri Edi Rama ka sqaruar sonte se pse ai pse ai dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u ulën të ndarë në stadium kur u zhvillua ndeshja Shqipëri-Çeki. Në një intervistë për “Opinion”, Rama e cilësoi çështje protokolli, duke shtuar se nuk kishte asnjë dijeni se homologu i tij do të ishte në Tiranë atë ditë.

Nga ju buron kjo mëri, ky nervozizëm me Albin Kurtin?

Edi Rama: S’kam asnjë nervozizëm me Albin Kurtin.

Duket edhe kur përmendet emri i Albinit sikur bëheni nervoz.

Edi Rama: Fare, fare…Këto janë muhabete kot.

Si janë raportet tuaja?

Edi Rama: Emri iu përmend vetëm njëherë dhe mund ta përmendësh disa herë dhe unë flas me shumë kënaqësi për Albinin se ka shumë gjëra…

Kënaqësi e tretur kjo tashmë…

Edi Rama: Jo, jo fare! Tani, po më pyet për një çështje shumë të madhe, një çështje shumë më të madhe sesa Albini dhe unë sepse kryeministrat shkojnë e vijnë, por rastet ideale, rastet e arta, rastet historike që ti të kapësh një tren që mendon se e ke aty gjithë kohës dhe pastaj ti mbetesh, treni ikën, nuk vijnë përditë, prandaj unë jam kaq shumë pasionant kur flas për këtë sepse në ndërkohë jam shumë i informuar se çfarë dinamikash ka në anën e komunitetit euro-atlantik, jam shumë i informuar se si e shohin ata dhe pa ata nuk bën dot asnjë hap Kosova.

Edhe në ndeshjen me Çekinë, kryeministri i Shqipërisë rrinte në katin e dytë, kryeministri i Kosovës në katin e tretë, çfarë ndodhi në atë ndeshje? Edhe pse është e parëndësishme, vizivisht për qytetarët është…

Edi Rama: Tani, më fal se nuk po kuptohemi. Unë nuk merrem me organizimin e protokollit, unë kisha tre vendet që kisha vetë, dhe vajta u ula në 3 vendet që kisha vetë, dhe në ndërkohë në atë boksin e veçantë, se pastaj pyeta dhe unë…

Ju s’dinit gjë që Albin Kurti kishte mbërritur në Tiranë, s’ju kishte lajmëruar njeri?

Edi Rama: Fare!

As protokolli i Kosovës, as protokolli i Shqipërisë?

Edi Rama: Fare! Në boksin e veçantë ishte jo vetëm Albini, por edhe një pjesë e anëtarëve të qeverisë së Kosovës, ishte zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ishte dhe zv.kryeministrja jonë me të tjerë, pra ishin the lart dhe tani ça muhabetesh janë këto?

Jo kjo tregon që marrëdhëniet nuk janë normale, përderisa as protokolli, as kryeministri i Kosovës nuk ju njofton që po vjen në Tiranë.

Edi Rama: Kjo besoj s’është pyetje për mua, sepse unë kur shkoj në Kosovë i njoftoj të gjithë, kush më pret, kush s’më pret, nuk ka problem.