Një konfrontim fizik ka ndodhur mes kreut të PS në Gramsh, Enis Zanin dhe vëllain e kryetarit aktual të Bashkisë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00 në qytetin e Gramshit.

Mësohet se Lorenc Taçe, vëllai i kryetarit aktual të Bashkisë së qytetit Klodian Taçe, ka debatuar me fjalë por më pas debati ka kaluar në konflikt fizik me Enis Zanin, kryetarin e Partisë Socialiste, dega Gramsh dhe drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Tajar Bicin.

Ngjarja ka ndodhur në prani të ish-deputetit Besian Ajazi,  i cili është kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Gramsh. Mësohet se ai nuk ka ndërhyrë për të ‘ulur gjakrat’.

Ende nuk bëhet me dije shkaku që i ka çuar ata në konflikt fizik, ndërsa nga Policia nuk ka pasur reagim mbi këtë ngjarje. Një prej arsyeve mund të jetë edhe mos rikandidimi i Klodian Taçes për bashkinë e Gramshit.