Ndërkohë që qumështi dhe nënproduktet e tij kanë pasur një rritje të vazhdueshme të çmimeve për konsumatorët shqiptarë, duket se cilësia e produkteve të ofruara nuk është në të njëjtën valë.
Përgjatë një periudhe Maj-Gusht 2023, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka ndërmarrë një hetim në stabilimentet e prodhim-përpunimit të qumështit në vend, ku janë kryer 38 kontrolle zyrtare , vendosur 33 gjoba në vlerë 32.5 milionë lekë si dhe janë dhënë 18 paralajmërime. Ndërsa, 4 raste janë referuar në prokurori si dhe janë bllokuar 28 ton produkte.
Nga ana tjetër, në kulmin e sezonit veror, për shkak të fluksit të lartë të pushuesve dhe turistëve, abuzimet me sigurinë ushqimore janë më të shpeshta. Për këtë arsye, Task-Forca Ndërinstitucionale për Sigurinë Ushqimore, ka vijuar kontrollet intensive në terren, ku gjatë periudhës 26 qershor-18 gusht ka kryer 3138 inspektime në 12 qarqet e vendit në mbikëqyrje të operatorëve të biznesit ushqimor të prodhimit, përpunimit, magazinimit dhe tregtimit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në bizneset ushqimore, janë konstatuar shkelje të kërkesave ligjore, si tregtim të ushqimit të pasigurt, mungesë të kushteve higjieno-sanitare mungesë të përditësimit të sistemit të vetëkontrollit HACCP etj.
Për këtë arsye cilat janë vendosur 71 masa administrative “gjobë” me një vlerë totale prej 14.3 milionë lekë, e cila do të paguhet nga bizneset e kapura në shkelje.
Nga ana tjetër, janë vendosur 771 “paralajmërime” apo e thënë ndryshe 25 % e bizneseve të inspektuara, si dhe janë ndërmarrë 207 mostra dhe kryer 327 analiza. Task-forca ka bllokuar 5 ton dhe 393 litra produkte ushqimore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shprehet se do të vijojë me kontrollet në të gjithë vendin në garantim të sigurisë së ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.
AKU ka mbajtur të fshehtë emrat e kompanive.