Tensionet me Rusinë kanë bërë që shumë shtete, mes tyre edhe Shqipëria, t’u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre të largohen sa më parë nga Ukraina.
Këtë të diel, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të Kosovës që të largohen sa më parë nga Ukraina.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se tashmë nuk mund të përjashtohet më fillimi i një konflikti të hapur të armatosur.
MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë drejt Ukrainës, ndërsa atyre që ndodhen atje, u ka bërë thirrje të largohen sa më parë.
Njoftimi i plotë:
MPJD iu bën thirrje qytetarëve kosovarë të largohen sa më parë nga Ukraina
Pas rritjes dramatike të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës, të shkaktuara nga prania dhe lëvizjet e mëdha të trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, tashmë nuk mund të përjashtohet më, fillimi i një konflikti të hapur të armatosur.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës iu bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos udhëtojnë drejt Ukrainës dhe nëse ndodhen atje, të largohen sa më parë.
Për informacione aktuale dhe ndihmë konkrete, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Ukrainë mund të kontaktojnë Ambasadën e Kosovës në Pragë në numrin: + 420 257 217 775 ose në adresën e emailit: [email protected]