Skënder Hita, drejtor i Policisë Durrës u shpreh sonte në “Opinion” se grupi i hetuesve janë të bindur se Pëllumb Metën e ka ekzekutuar djali i madh i tij, Hyseni.

Sipas tij, ky i fundit planin e ka bërë bashkë me të motrën disa ditë pasi ishte kthyer nga emigracioni.

Por pse Hygerta merr përsipër krimin?

Sipas drejtorit të Policisë Durrës, me idenë se ajo mund të marrë një dënim më të lehtë se i vëllai. (Kodi Penal Shqiptar udhëhiqet nga parimi i humanizmit dhe ka një diskriminim pozitiv kur autori i dyshuar i veprës penale është grua apo vajzë.

Që do të thotë që në rastin konkret, nëse provohet që krimin e ka kryer vajza, ajo i shpëton burgimit të përjetshëm. Pra maksimumi që mund të dënohet një grua ose vajzë është 35 vite burgim.)

-A jeni të sigurt që vrasja është bërë nga djali i madh?

Skënder Hita: Nga rrethanat e hetimit, na rezulton që motër e vëlla kanë planifikuar dhe kanë qenë prezent kur ka ndodhur ngjajra. Djali tjetër ka qenë në punë, bashkëshortja ka qenë jashtë. E kanë parë po atë ditë të 4-ërt, më tej kanë vazhduar të fshehin të gjitha gjurmët. E paraqisnin të atin, si një baba autokrat, që kishte sudnim në familje dhe ata e dëgjonin verbërisht.

Aty s’bëhej fjalë për dhunë të përditshme fizike, por dhunë të mëparshme patjetër që ka pasur, apo dhunë psikologjike.

Jemi të bindur që vrasjen e ka bërë djali, pavarësisht se Hygerta merr përsipër të mbrojë pjesën tjetër të familjes duke menduar që meqë është vajzë, dënimi është më i lehtë për të.