Ish deputetja nga Kosova, Dude Balja në një intervistë që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” foli për veprimin më të fundit që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës për të ndaluar testin e virgjërisë. Sipas kodit të ri, ky veprim cilësohet si shkelje e të drejtave të njeriut ndaj duhet të dënohet.
Gjatë intervistës me moderatorin Alban Musa, teksa po diskutonin së bashku me sociologun Gëzim Tushi dhe aktivisten Zhaklin Lekatarin, ish deputetja tha se nga ajo që kanë konstatuar, janë më shumë prindërit ata që kërkojnë një “provë” nga gjinekologu se vajza e tyre është e paprekur.
“Qeveria e ka marrë seriozisht gjendjen e femrave. Kemi bërë një analizë dhe kemi parë shumë raste që kanë kërkuar këtë test në disa situata në vende rurale. Ishte e çuditshme sepse shumica e vajzave kanë pasur nënshkrimin e prindërve. Prindërit kanë dashur një aprovim nga gjinekologu se vajza nuk është prekur.
Përgjigjet janë shokuese sepse shumica kanë pasur nevojë si provë se vajza është e virgjër.“, tha ish deputetja. Ndërkohë, sociologu tha se testi i virgjërisë është një sjellje mesjetare. Ai gjithashtu vuri theksin te fakti që djemtë në perëndim vijnë për të kërkuar nuse të mira në Shqipëri.
“Kjo është sjellje mesjetare, barbare, anti humane. E kuptoj se në shoqërinë shqiptare disa gjëra vijnë me vonesë, por ne jemi pak të vonuar në raport me revolucionin seksual në vitet 60-’70 në Evropë. Të jesh e virgjër je e ndershme, ky është mentaliteti në Shqipëri. Pra, ideja se seksi ishte vetëm martesor.
Shoqëria ka pasur shumë tabu, kjo tabu është akoma e ndjeshme. Një pjesë e djemve vijnë nga perëndimi dhe se pranojnë martesën mbikulturore sepse ata mund të kenë pasur marrëdhënie më përpara dhe kërkojnë këtu me mendimin se gjejnë vajza të paprekura. Prandaj bëhen një operacione për rivirgjërimin.
Se di pse kjo tabu e cipës së virgjërisë i është dhënë ky dimension. Imagjinoni se çfarë personaliteti ka një femër që detyrohet të kontrollohet në intimitetin e saj. Është dhe biologjike sepse njerëzit kanë të drejtë t’ja kërkojnë femrës paprekshmërinë e saj ndërsa mashkullit jo.”, u shpreh sociologu.
Ndërkohë, sipas Zhaklinës, problemi qëndron te fakti se gruaja nuk konsiderohet e barabartë me burrat dhe se gjykimi për sa i përket virgjërisë është një sjellje pa dinjitet që i bëhet atyre. “Ne gruan e konsiderojmë si gjë dhe jo si të barabartë, jo si gjysma e shoqërisë që japin kontributin e njëjtë.
Konsiderohen si objekte, skllave, shërbëtore dhe nuse që duhet të bëjë punët e shtëpisë. Nuk kanë identitet, një rol. Duket se ka lindur për të qenë nënë dhe grua jo për t’u vetrealizuar. Problemi është se ne jetojmë në shoqëri kolektiviste, themi se po martojmë djalin apo vajzën dhe jo se ata vendosën të martohen.
Dhe marrin vendime kolektive për të ardhmen e jetës së vajzës apo djalit, ende futemi në krevat të çifteve dhe ndërhyjmë në zgjedhjet e tyre personale.
Morali nuk ka të bëjë me numrin e marrëdhënieve seksuale por me sjelljen dhe kontributin që japim në shoqëri.
Mendoj se hapi tjetër është kriminalizimi i rikthimit të virgjërisë sepse përderisa ekziston domethënë se është ende një problem. Është një “përdhunim” i vajzave dhe grave. Një trajtim pa dinjitet që i bëhet gjysmës së shoqërisë.
Ende në shekullin 21 nuk e kuptojmë se sa e rëndësishme është që vajzat të jenë të lira si seksualisht, ekonomikisht, psikologjikisht sepse vetëm kështu zhvillohet shoqëria jonë. Barazia gjinore nuk i mëshon testit të virgjërisë por barazisë dhe seksuale mes burrit dhe gruas.”, tha Zhaklina.