Partia Socialiste mund të ndryshojë sërish drejtuesit e fushatës nëpër qarqe për të maksimalizuar votën në favor të saj në zgjedhjet e radhës parlamentare pasi pritet që SPAK të godasë sërish në rangje të larta.

Socialistët do të përqëndrojnë fushatën në zonat e populluara dhe qarqet që nxjerrin më shumë mandate. Kryeqarku në këtë rast është Tirana, që në zgjedhjet e pritshme të majit do të ketë të paktën 36 mandate.

Fushata në Tiranë aktualisht i është besuar Elisa Spiropalit, Erion Veliajt dhe Ogerta Manastirliu.

Voxnews raporton se radhët e drejtuesve të PS-së në kryeqytet mund të përforcohen edhe me transferimin e Blendi Gonxhjas, që prej shtatorit është drejtues qarku në Dibër.

Gonxhja
do të angazhohet në njësinë numër 6 të kryeqytetit, që përfshin zonën e Kombinatit. Në këtë njësi, aktualisht është e caktuar Ogerta Manastirliu.

Burimet saktësojnë se Gonxhja do të angazhohet në të gjithë qarkun e Tiranës, por me theks në zonën e Kombinatit.

Kjo lëvizje ndodh teksa SPAK po “qep” dosjen e Veliajt ndërsa bëmat e Manastirliut e Ministrinë e Shëndetësisë janë të njohura.

Zyrtarizimi i këtyre ndryshimeve mund të kërkojë disa ditë, apo javë, por burimet brenda socialistëve theksojnë se lëvizjet bëhen në kuadër të nevojës për të fuqizuar fushatën në qarkun e Tiranës. /gazetajonë