Gazmir Preçi, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme në një lokal në zonën e Kinostudios në Tiranë, ka arritur që të ngjitet në majat më të larta të komisariatit të policisë së Durrësit, edhe pse më herët ka qenë nën hetim, për lejimin e kultivimit të kanabisit në Mallakastër.
Deri në vitin 2021, Preçi ka qenë inspektor policie në Mallakastër, ku dhe u vu nën hetim, për favorizimin e mbjelljes së kanabisit.
Megjithatë 3 vite më vonë, ai e gjen veten në një detyrë të rëndësishme në komisariatin e Policisë në Durrës, ku këtë herë kishte marrë rolin e gjobvënësit ndaj bizneseve.
Pas kontrolleve që kishte kryer disa herë me radhë në një lokal nate striptizmi në qytetin e Durrësit dhe ku nuk kishte konstatuar shkelje, Preçi, i kishte kërkuar pronarit një shumë prej 20 mijë eurosh, me pretendimin se kishte gjetur punonjës të pasiguruar, edhe pse kjo nuk është kompetencë e institucionit të policisë.
I gjendur në kushtet e presionit, pronari i biznesit e denoncoi Preçin në AMP, dhe më pas është bërë e mundur dhe arrestimi i tij një flagrancë, duke e futur në kurth.
Pronari i biznesit dhe Preçi lanë takim në zonën e Kinostudios në Tiranë, ku shefi i sektorit do të merrte një pjesë të parave.
I shkujdesur, i veshur me rroba sportive dhe me shapka shtëpie, Preçi mbërriti në lokalin ku pretendonte të merrte shumën e majme, por në këmbim mori prangat.
Përtej rastit të Preçit, që ishte një emër i njohur për drejtësinë, shqetësuese mbetet rritja e rasteve të korrupsionit në radhët e policë së shtetit, që dukshëm cënojnë besimin e qytetarëve.
Hetimet për Fierin
Në vitin 2021, Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Fier, caktoi masa sigurimi personal për disa punonjës policie të zinxhirit komandues dhe përgjegjës të Komisariatit të Policisë Mallakastër të cilët kishin lejuar mbjelljen e drogës buzë lumit Vjosa.
Mes tyre ishte edhe emri i Gazmir Preçit, ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Preçi kishte mbajtur postin e shefit të komisariatit në policinë e Mallakastrës.
Pas hetimeve rezultoi se punonjësit e policisë kishin shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike.
Masat e sigurisë në vitin 2021:
-Komisar Elvin Karaj, me detyrë Shef i Seksionit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.
– N/Komisar Endrit Vika, me detyrë Specialist i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.
– Inspektor Ermal Beharaj., me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe të Përgjimit në DVP Fier, me masë sigurie “Arrest në burg”.
– Inspektor Erlind Likaj, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, me masë sigurie “Arrest në burg”.
– Inspektor Ornel Kuqari, me detyrën e Laborantit Kriminalistik pranë DVP Fier, me masë sigurie “Arrest në burg”.
– Komisar Gazmir Preci, në detyrën e ish-Shefit të Komisariatit të Policisë Mallakastër
– Inspektor Ylli Koreveshaj, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër
– Inspektor Irfan Bajramaj, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër.