Prokuroria e Tiranës sekuestron prona, llogari bankare dhe 7 makina, pronarë Adem Metkola dhe Arjana Xhika

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e një personi, i cili dyshohet se janë të ardhura nga veprimtari kriminale. Bëhet fjalë për pasuritë e shtetasit Adem Metkola, i cili është nën hetim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Më konkretisht i janë sekuestruar 2 troje, 3 ara dhe 7 makina, si dhe llogaritë bankare të tij dhe të bashkëshortes së tij.

“Nga informacioni i marrë dhe verifikimet e kryera, ka rezultuar se në llogaritë e shtetasve Adem Metkola dhe A.Xh., në bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për periudhat 2007-2008, 2015-2016 dhe 2020-2023, kanë mbërritur disa transferta në vlera të konsiderueshme. Dërgesat janë bërë nga shteti anglez dhe dërgues kanë qenë shtetas të huaj, ku midis tyre dhe përfituesve nuk provohet asnjë lidhje. Transfertat bankare në llogaritë e tyre janë bërë pa përshkrim veprimi. Lidhur me këto transferta, shtetasi Adem Metkola ka deklaruar se shumat e depozituara në llogarinë e tij kanë qenë kapar për blerjen e një pasurie të paluajtshme në Durrës, e cila do të përdorej për të ndërtuar një resort turistik ku të dy do ta kishin në bashkëpronësi.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria e Tiranës sekuestron prona, llogari bankare dhe 7 makina, pronarë Adem Metkola dhe Arjana Xhika
Prokuroria e Tiranës sekuestron prona, llogari bankare dhe 7 makina, pronarë Adem Metkola dhe Arjana Xhika

Sipas hetimeve, ekzistojnë indicie dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Adem Metkola në bashkëpunim me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen A.Xh. kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe për këtë shkak Prokuroria e Tiranës thekson se duhet t’i vendoset sekuestro ndaj pasurive të tij.

Në këtë skemë dyshohet se është e përfshirë edhe shtetasja britanike C.P., e cila ka kryer transferta për shtetasin nën hetim si dhe gjithashtu ka blerë pasuri në bashkëpronësi me të me vlera të konsiderueshme.

Në transfertën e kryer për blerjen e pasurisë truall, Adem Metkola ka deklaruar se të ardhurat kanë qenë kursime familjare të përftuara si pasojë e emigrimit, ndërkohë që rezulton që ky shtetas është kthyer deportiv në vitin 2007 dhe këto para nuk i ka qarkulluar më parë në sistemin bankar, pavarësisht se ka rreth 20 vite që është kthyer nga Anglia.

Pasuritë ndaj të cilave është vendosur masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” janë:

  • Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 363 m2 në Kamëz;
  • Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 237 m2 në Kamëz;
  • Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 649 m2;
  • Pasuria e llojit “Truall” me sip. Totale 1,000 m2;
  • Pasuria e llojit “Truall” me sip. Totale 1,000 m2.
  • Llogaritë bankare të shtetasit Adem Metkola
  • Llogaritë bankare të shtetases A. Xh

Po ashtu i janë sekuestruar edhe 7 automjetet Adem Metkolajt, më konkretisht mjetet: “Smart Micro Compact”; “Hummer H2”; “Suzuki Swift”, “Mazda 2500”; “BMW X6 Xdrive” 35D; “Mercedes Benz ML”, si dhe ndaj pasurisë së luajtshme automjet “Range Rover Evoque”