Disa universitete në Shtetet e Bashkuara po përballen çdo ditë me protesta pro-palestineze. Studentët po demonstrojnë kundër luftës mes të Izraelit dhe Hamasit dhe kërkojnë që ndihmat humanitare të lejohen të arrijnë në Gazë. E ndërsa mbi 100 studentë dhe demonstrues janë arrestuar, duket se protestat nuk po shuhen.

Protestuesit iu bashkuan studentëve në disa universitete, duke përfshirë Columbia, Yale dhe Universitetin e Nju Jorkut, ndërsa mbanin në duar slogane dhe brohorisnin “Palestinë e lirë, e lirë”. Policia ndërhyri me dhunë në disa kolegje amerikane për të arrestuar protestuesit, kryesisht në Universitetin Columbia ku tensionet mbeten të larta dhe ku mësimi është anuluar.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson gjatë një vizitë në kampusin e universitetit Kolumbia u përball me tallje nga protestuesit pro-palestinezë, por bëri thirrje për dorëheqjen e presidentit të universitetit.

Johnson u shpreh se universiteti Kolumbia nuk kishte vepruar për të rivendosur rendin në kampus dhe nuk kishte arritur të mbronte studentët hebrenj mes shqetësimeve për antisemitizmin brenda dhe përreth kampusit.

“Kjo është e rrezikshme. Ne respektojmë fjalën e lirë, ne respektojmë diversitetin e ideve, por ka një mënyrë për ta bërë këtë në një mënyrë të ligjshme dhe kjo nuk është ajo që është. Mesazhi im për studentët brenda kampit është të ktheheni në klasë dhe të ndaloni marrëzitë.”

Mike Johnson hodhi gjithashtu idenë e thirrjes së trupave të Gardës Kombëtare, diçka që guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, tha se nuk kishte plane ta bënte.

Zyrtarët e universiteteve amerikanë tani po negociojnë me drejtuesit e protestës mbi madhësinë e kampeve të ngritura në ambientet jashtë tyre dhe bisedimet pritet të vazhdojnë. Studentëve u është lejuar gjithashtu të zgjedhin të ndjekin mësimet në online për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Kampe gjithashtu janë ngritur në një numër universitetesh të tjera, duke përfshirë New School në Florida, Universitetin e Miçiganit dhe Universitetin e Rochester në shtetin e Nju Jorkut.

Grupet pro-palestineze u kanë bërë thirrje universiteteve që t’i japin fund investimeve në kompanitë që mbështesin ose përfitojnë nga veprimet ushtarake të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze.

Ndërkaq, numri i viktimave në Gazë po rritet dhe nuk ka asnjë shenjë se lufta midis Izraelit dhe Hamasit do të përfundojë së shpejti.