Partia Socialiste nuk do ta mbrojë deputetin Alqi Bllako me imunitet. Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh sot se nesër në orën 18:00 do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit për deputetin socialist. Balla u shpreh se PS nuk do të mbrojë askënd dhe gjithkush që ka probleme të japë llogari përpara drejtësisë.

“Unë nuk jam i gëzuar për askënd që kërkohet një masë me burg, në aspektin njerëzor. Të qenurit koleg i Kuvendit, kushdo qoftë personi apo kolegu. Në aspektin njerëzor nuk jam i gëzuar. Por ka një aspekt tjetër që biem dakord, që forca udhëheqëse e PS për të çuar përpara reformën në drejtësi për të vendosur përpara gjithkush pa asnjë dallim.

Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim për të thelluar më tej efektet e reformë në drejtësi. PS ka vendosur një vijë të kuqe, me këdo, sapo ndaj një përfaqësuesi të PS-së, drejtësia kërkon ose vendos një masë sigurie apo sjell një kërkesë për hetime, apo për cështje të tjera, vija e kuqe është që PS nuk është mbrojë për askënd.

Në këtë këndvështrim, kjo do të jetë vijë e kuqe për këdo. PS ka vendosur standarde për këto kërkesa. Të jeni të sigurt, nuk ka asnjë vonesë, përkundrazi gjithçka do të ecë sipas procedurës së përcaktuar qartë. Asnjë vonesë dhe asnjë pengesë” deklaroi ai.

SPAK i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit për deputetin Alqi Bllako i cili akuzohet për aferën e inceneratorëve. Sot janë arrestuar shtatë zyrtarë, mes tyre tre drejtorë.