Një vrasje e dyfishtë në muajin mars për një konflikt banal solli edhe një tjetër viktimë për shkak përplasjes mes fiseve Gosa dhe Rexha në qytetin e Kavajës. 48-vjeçari Arian Gosa u qëllua dje për vdekje me armë zjarri nga Habib Rexha 31 vjeç, i cili është në kërkim. 10 mijë euro vendosi policia shpërblim për informacionet në lidhje me vendndodhjen e autorit.
Shkak i vrasjes dyshohet se është hakmarrja, pasi më 29 mars ndodhi një vrasje e dyfishtë, ku pas një sherri banal vdiqën Edmond Gosa, vëllai i Arjan Gosës, dhe Altin Rexha.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, teksa Gosa ka qenë i ulur në lokal duke pirë kafe me babanë e tij. Një person është afruar dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë, i cili ishte fatal dhe i mori jetën 48-vjeçarit.
Më 29 mars qyteti i Kavajës u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku pas një konflikti banal, u vranë Edmond Gosa, alias Armand Gosa, dhe Altin Rexha, alias Sali Rexha. Viktimat kanë pasur një konflikt disa ditë para ngjarjes dhe më 29 mars ata u takuan rast.
Pyetja ‘Pse më sheh ashtu’ nga Edmond Gosa ka irrituar Altin Rexhën, i cili ka marrë thikën dhe ka plagosur Edmond Gosën. Më pas ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë, duke e lënë të vdekur Altin Rexhën, por edhe vetë Edmond Gosa humbi jetën nga plagët që mori nga plagosja me thikë.