
Janë publikuar për herë të parë pamjet e atentatit të ndodhur mesditën e djeshme brenda ambienteve të lokalit “Coral” në pedonalen e Shëngjinit, ku u ekzekutua me armë zjarri biznesmeni dhe ish-kandidati për deputet i PSD, Ardian Nikulaj.
Në videon e publikuar nga televizioni “Ora News”, shihet se autorit me skafandër në kokë dhe jelek fosforeshent i janë dashur vetëm 10 sekonda për t’i marrë jetën 50-vjeçarit.
Nikulaj është duke folur në telefon, por në momentin që autori hyn në derë dhe e përshëndet ose thërret në emër sipas dëshmisë së vjehrrit të viktimës, biznesmeni lë në tavolinë celularin dhe kthen kokën në drejtim të tij.
Autori më pas bën 2-3 hapa në drejtim të tavolinës ku ishte ulur 50-vjeçari dhe me gjakftohtësi zbraz mbi të 6 plumba nga pistoleta tip “TT” me silenciator, madje duke iu afruar në fund si për t’u siguruar që shënjestra ka ndërruar jetë.
Sakaq, ngjarja e rëndë vijon të mbetet pa autor edhe pse ekzekutori rezulton të jetë larguar me motorin e tij me targa të huaja, të cilin përdori për të mbërritur në vendngjarje duke lënë përshtypjen te dëshmitarët okularë se ishte një postier.