Nëse sot kemi vajzat, “show girl”, vajzat e bukura dhe të suksesshme që janë pandalim në ekran, në vitet ’60 të vetmet kanë qenë spikeret.

Prandaj ato ishin edhe ikona të ekranit. Fytyra të bukura, simpatike, brune e bionde, me një buzëqeshje natyrale, me një zë melodioz, qëndrim karakteristik, me një shqiptim korrekt, kështu kanë mbetur në memorien e publikut televiziv.

Një ndër to ishte edhe Mimoza Tafaj. Ajo ishte vetëm 17 vjeç, në 1974 kur bëri daljen e saj të parë televizive.

“Me ekranin jam lidhur nga marsi i vitit ‘74 deri në vitin 1999, periudha kur jepja lajmet dhe që kam dalë për herë fundit. Si folëse nga vjeshta e ‘74-ës, deri në gushtin e ‘85-ës. Nga Televizioni jam larguar në vitin 2014 dhe në 40-të vite punë në TVSH, 25 vjet i kam në ekran, por në 40-të krahas profesionit si folesë, kam qenë dhe montazhiere, kjo pas lindjes. Gjatë këtyre viteve paralel bëja “Programin javor”, një emision 30-të minutësh, ditën e djelë. Në vitin 1986, fillova atë me muzikë shumë të ndjekur “Nga kënga në këngë”, program muzikor i hartuar sipas kërkesave të telespektatorëve që transmetohej të hënën në mbrëmje”, tregon Mimoza per historikun e saj në televizion.

Një moment që Mimozës i ka mbetur në kujtesë është prezantimi i Festivalit të 18 në Vitin 1979 kur siç tregon spikerja, veshja duhet të konfirmohej më parë, por ajo zgjidhi një veshje tjetëer. Por për fatin e saj të mirë, me të mbaruar Festivali mbaruan edhe kritikat dhe atë e komplimentuan për veshjen.

“Në vitin 1979, ka qenë Festivali i 18-të i Këngës në Radio-Televizion, bashkë më aktorin Pirro Kita. Kam një detaj të veçantë nga ai festival: Veshja aprovohej më parë, ndërsa natën e fundit, unë përdora një fustan të pa aprovuar, që ishte ishte i veçantë, me një jakë pak të ngritur. Më bënë shumë fjalë, por nuk kishte kohë për ta ndryshuar apo gjetur një tjetër. “Pse e ke veshur, të është aprovuar një tjetër”, – më thonin. Por pas përfundimit më komplimentuan për veshjen.

Kujtoj se kënga fituese ka qenë “Festë ka sot Shqipëria”, me muzikë të Agim Prodanit, tekst të Zhuliana Jorganxhi kënduar nga duetet Zeliha Sina-Liljana Kondakçi dhe Afërdita Laçi. Pirros i dhanë një shpërblim financiar prej 2000 lekë si i jashtëm, ndërsa mua një kuti të Artistikes “Migjeni” si punonjëse e Radio-Televizionit. Edhe në një dokumentar të regjisorit Viktor Gjika, kam kontribuar me një rol modest.”