Punonjësit e Nadir Çaushollit rrahin pasagjerin në Tiranë, bashkia dhe policia bëjnë sehir, oligarku shton milionat
Një pasagjer i linjës së urbanit të ‘Unazës’ është dhunuar me shkelma nga shoferi dhe fatorino.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e mesditës në rrugën ‘Reshit Petrela’, pranë ‘Stacionit të Trenit’.
Pasagjeri ka qenë në praninë e të atit kur është dhunuar nga punnjësit e linjës që është në pronësi të Nadir Çaushollit.
Babë e bir i kërkuan llogari punonjësve të linjës së urbanit se përse nuk i njoftojnë për stacionet ku ndalon autobuzi, pasi kishin shkuar shumë larg destinacionit. Sipas një qytetare, e cila denoncon me videodhunën e ushtruar, fillimisht ka pasur konflikt verbal, deri në momentin që fatorino dhe shoferi zbritën nga urbani dhe nisën të rrahin pasagjerin.
“Në autobuzin e Unazës në një stacion para se të arinim të Treni dy pasagjerë babë e bir i thanë fatorinos dhe shoferit pse nuk thua çfarë stacioni jemi, na çove larg. Kur zbriten i biri shau shoferin, u nxeh keq dhe duke sharë ndaloi autobuzin, zbriti dhe e rrahu djalin me pantallona portokalli . Aman ça bëhet, na shqetësuan shumë. Ata rriheshin dhe ne prisnim në autobuz. Filmova vetem një pjesë, se djali me pantallona portokalli erdhi përsëri te dera dhe e rrahi keq shoferi, i cili ishte zverdhur në fytyrë dhe më bërtiti mua; ti çfarë filmon? Fshije po të them. Unë nuk mund t’i durojë të tilla skena edhe sikur autobuzi të ishte i tij. Aman mos vini shofera skizofrena” – shkruan qytetarja
Njësoj të të ishin në një xhungël, e jo në një shërbim publik, punonjësit e linjës së ‘Unazës’ treguan forcën me pasagjerët.
Një rast i cili tregon se shqiptari i thjeshtë nuk duhet të ankohet, nuk duhet të kërkojë shërbim për faturën që paguan dhe nuk duhet të guxojë të ngrejë zërin ndaj të fortëve që i mbrojnë biznesmenët e lidhur me politikën.
Linjat e urbanëve, 11 të tilla, morën rreth 100 mijë euro nga taksat e qytetarëve për të mbuluar kostot e naftës, marrin me mijëra euro nga shitja e biletave dhe aboneve dhe ofrojnë një shërbim që lë për të dëshiruar, e madje shkojnë deri në dhunimin e pasagjerëve.