Pas rritjeve të çmimeve, qytetarët kanë zhvilluar prej disa ditësh protesta.
Me gjithë deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protestat janë një turp për Shqipërinë dhe dëmtojnë qëndrimin e saj në arenën ndërkombëtare në lidhje me luftën në Ukrainë, shoqëria civile ka paralajmëruar se nuk do të ndalet.
Protesta është parashikuar të nisë në orën 11:00 nga sheshi “Skënderbej” e më pas protestuesit do të drejtohen për në kryeministri. Një përfaqësuese e protestës, tha dje se qeveria ka reaguar, por jo se ata kanë dashur. Sipas saj, nëse qeveria nuk pranon kërkesat e qytetarëve, protestat do të vijojnë pambarimisht.
“Këto masa nuk janë të mjaftueshme për përballimin e krizës. Nuk ka garanci që çmimet do të jenë të ulëta në vazhdimësi. Paketa për njerëzit në nevojë është minimale. Kërkesa dhe propozimet tona të përpiluar me ndihmën e grupeve të interesit, janë përpiluar që të garantohet mirëfunksionimi i tregut. Këtë të shtunë, 19 mars të gjithë qytetarët do të jenë në protestë sërish dhe do të marshojnë nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt kryeministrisë. Kjo është protestë e qytetarëve dhe ne nuk do të rreshtim deri në përballimin e krizës. Protestat nuk do të ndalen derisa qytetarët të trajtohen me respekt nga qeveria e tyre”, tha përfaqësuesja.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të ketë marshim nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt kryeministrisë e më pas pritet të ulen në bulevard para godinës së qeverisë. “Protestat do të vijojnë pa ndërprerje”, tha përfaqësuesja.