Një skandal është rregjistruar në Greqi ndaj një nxënëse të klasës së 5 me origjinë shqiptare. Sipas mediave greke, vajza 10-vjeçare është përjashtuar nga shkolla në mënyrë që mos të krijohet një klasë e dytë paralele.
Sipas masave të reja të Ministrisë së Arsimit së Greqisë çdo klasë duhet të përbëhet maksimumi me 25 nxënës, por në shkollën fillore në fshatin Simantra të Halkidikisë, klasa përbëhej nga 26 nxënës dhe Drejtoria Arsimore përjashtoi shqiptaren.
Tashmë, nxënësja duhet të ndjekë studimet në një shkollë në një fshat tjetër, në Portaria, por është 8km larg dhe familja nuk mund ta dërgoj atje, pasi nuk ka transport.
Babai i 10-vjeçares, Altin Tocila, tha se një ditë pas nisjes së vitit shkollor, drejtoresha i ka njoftuar vendimin e përjashtimit të Drejtorisë së Arsimit, pasi klasa e 5-të ka 26 fëmijë dhe nuk mund të ketë edhe një nxënës tjetër.
Pasi prindërit e vajzës kanë kundërshtuar drejtoresha ka lajmëruar policinë për të nxjerrë fëmijën nga ambientet e shkollës. Kjo situatë frikësoi të voglën, e cila filloi të qajë ndaj ai e mori me vete në punë gjatë gjithë ditës.
Familja në fjalë ka edhe një vajzë tjetër që shkon në gjimnazin e Mudhaniasë, 9 km larg dhe nuk mund të përballojë transportin e dy fëmijëve, por nuk mund ta lejnë 10-vjeçarn vetëm të marrë autobuzin e linjës.
Familja Tocila u detyrua të shpërngulej nga Imathia në Halkidiki, në kërkim të të ardhurave më të qëndrueshme dhe kushteve më të mira të jetesës. Pasi janë vendosur në Simantra të Halkidikis, Altin Tocila filloi të punojë punë në një fabrikë të përpunimit të ullirit kurse gruaja e tij është e papunë.
Duke denoncuar këtë ngjarje shoqata e Mësuesve të Arsimit Fillor të rajonit shpalli ndalesë pune dhe protestë dje në mesditë para Drejtorisë Arsimore në Polygyros të Halkidhikisë. Nga ana e tyre organet vendore të arsimit,pas publikimit të ngjarjes dhe reagimeve, kanë deklaruar se po përpiqen të gjejnë një zgjidhje duke bërë një përjashtim për numrin e nxënësve në rastin në fjalë.