
Kryeministri Edi Rama mblodhi sot grupin parlamentar të PS, duke folur për zgjedhjet e 11 majit, që siç u shpreh ai nuk janë aspak të zakonshme.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se pesha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishme sic është në këto zgjedhje.
Sipas kryeministrit Rama, rezultati i zgjedhjeve të 11 majit ka një peshë të madhe mbi të ardhmen e vendit.
“Unë besoj që qysh se unë kam privilegjin të udhëheq këtë forcë politike dhe me të gjitha zgjedhjet e derisotme, 9 të tilla në asnjë prej tyre pesha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishme sic është në këto zgjedhje.
Këto zgjedhje zhvillohen në një kontekst dyfish të jashtëzakonshme.
Njëri është konteksti i marrëdhënieve me BE dhe i BE me BP dhe tjetri është konteksti i anëtarësisë sonë në aleancën euratlantike dhe sigurisë në tërësi
Zgjedhjet e 11 majit nuk janë aspak të zakonshme dhe rezultati i 11 majit është më shumë sesa rezultat i partive politike, në rastin tonë është më shumë sesa fitore e PS në vetvete.
Për ne si familje politike dhe për flamurin tonë ka qenë e rëndësisë së veçantë që të fitojmë zgjedhjet, por më 11 maj rëndësia e fitores së zgjedhjeve dhe vetë rezultati i zgjedhjeve kanë një peshe mbi të ardhmen e afërt të vendit shumë më të madhe sesa ç’kanë pasur në zgjedhjet e mëparshme, 9 herë me radhë”, tha Rama./gazetajonë