Kryeministri Edi Rama ndodhet në Britani të Madhe ku po zhvillon një vizitë zyrtare, e para vizitë zyrtare e një Kryeministri shqiptar në Londër. Takimi i Ramës me homologun e tij britanik, Rishi Sunak është programuar pasditen e sotme. Ky do të jetë takimi i parë zyrtar mes Ramës dhe Sunak. Ndër çështjet më të rëndësishme që do të diskutohet mes tyre do të jetë ajo e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. Duke qenë edhe takimi i parë zyrtar mes Ramës dhe Sunak do të diskutohet edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Një vëmendje do të marrë edhe çështja e krimit të organizuar.

Agjenda e tij do të jetë e ngjeshur. Kreu i qeverisë do të nisë takimet që prej paradites së sotme, fillimisht do të ketë një takim në London School of Economics. Rama do të takohet me komunitetin shqiptar në Londër, me përfaqësues të biznesit. Rreth orës 12:00, kryeministri do të zhvillojë një takim me kryetarin e Dhomës së Komunëve, Lindsay Hoyle. Takimi me homologun Sunak do të mbahet rreth orës 16:00 dhe më pas pritet të ketë një deklaratë për mediat.

Në tavolinën e bisedimeve do jenë hapat konkretë që do të ndiqen për të vënë në jetë një marrëveshje paraprake të rënë dakord mes Ramës dhe Sunak gjatë një bisede telefonike që kanë zhvilluar në muajin dhjetor të vitit që lamë pas. Në këtë bisedë telefonike, dy liderët kanë rënë dakord që problemi i kthimit të azil-kërkuesve shqiptarë që u refuzohet azili, në mënyrë që ata të mos mbahen gjatë në Britani, por kthimi i tyre në atdhe të realizohet më shpejt.

Përveç takimit me Sunak, Rama do të mbajë një fjalë në “London School Economy” dhe do të marrë pjesë në një takim që zhvillohet në Ministrinë e Jashtme britanike ku do të jenë pjesëtarë të komunitetit shqiptar si dhe nga komunitete të tjera. Të premten është programuar edhe një takim mes ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi me homologen britanike Suella Braverman.

Kjo vizitë e Ramës në Britani, vjen në një kohë kur Britania e Madhe ka hartuar një ligj të ri për emigrantët, të cilët nëse futen në Britani të Madhe në mënyrë ilegale do t’i kthejnë brenda disa javësh në atdheun e tyre, ose në vende të treta si Ruanda. Ndërkohë, emigrantëve të paligjshëm që kthehen do t’iu ndalohet përgjithmonë hyrja në Britani. Një ligj i tillë prek edhe emigrantët shqiptarë, të cilët shkojnë në në Britani përmes rrugëve të paligjshme, kryesisht me gomone.

Çështja e emigrimit të shqiptarëve në drejt Britanisë së Madhe pati nxitur një debat të madh, për shkak të deklaratës së ashpër të sekretares së Brendshme Britanike Suella Braverman, e cila i cilësoi shqiptarët që shkojnë drejt Britanisë me gomone, si kriminelë dhe pushtues. Kjo nxiti edhe reagimin e madh nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe, të cilët organizuan edhe protestë të madhe në Londër, ku i kërkuan që Braverman të kërkonte ndjesë për deklaratën.