Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane Rai Uno, teksa ka komentuar mbi zhvillimin e turizmit në vend, si edhe vizitën e fundit të homologes së tij italiane në Shqipëri, Giorgia Meloni.

Rama shprehet se Meloni është një mikeshë e shqiptarëve dhe se ajo mbështet hyrjen në Europë, ndërsa zbuloi dhe prapaskenën e pagesës së faturës së turistëve italianë që ikën pa paguar nga një restorant në Berat.

“Vizita shkoi shumë mirë, ishte shumë e lumtur së bashku me familjen e saj. Erdhi me traget dhe pushoi në paqe për tre ditë. Më pas ne shkëmbyem disa ide sepse ka shumë për të bërë mes Italisë dhe Shqipërisë”, u shpreh Rama ndër të tjera gjatë intervistës së shkurtër.

Gazetari: Ju të dy keni rrugëtime politike mjaft të kundërta, ju jeni socialist, ndërsa Meloni vjen nga e djathta, Po çfarë keni të përbashkët?

Rama: Mënyrën se si themi atë që mendojmë, përpos kësaj kemi fatin që këto ndarjet e majtë e djathtë janë thjeshte pjesë e historisë tashmë. Në momentin që duhet të merren vendime, duhet të jemi konkret.

Gazetari: Në Shqipëri ka një boom turistësh, po na bëni konkurrencë?

Rama: Të thuash kështu është vërtet e tepërt, sepse konkurrencë Italisë nuk i bën dot askush.

Gazetari: Po cili mund të jetë roli i vendit tonë në afrimin e Shqipërisë në Europë?

Rama: Pavarësisht se kë ka patur Kryeministër, Italia ka qenë gjithnjë avokati ynë dhe Giorgia në fakt flet madje për një riunfikim të Bashkimit Europian, jo thjesht për integrim europian.

Gazetari: Së fundi në një episod të veçantë në rrjetet sociale u bë virale një video ku një grup italianësh janë larguar nga restoranti pa paguar. Është e vërtetë që kur kryeministrja e ka mësuar këtë i ka kërkuar ambasadorit të paguajë faturën?

Rama: Unë ia tregova këtë gjë për të qeshur pak dhe të gjithë rreth saj u shkulen se qeshuri, por ajo u ngrys ne fytyre. U kthye nga Ambasadori:
“Ju ambasador duhet të paguani atë faturë dhe të bëni një komunikim dhe të kërkoni falje sepse këta janë të turpshëm, dhe unë, ata që janë turpi i Italisë nuk i pranoj” i tha me atë dialektin e vet fantastik roman.