Qeveria shqiptare është treguar mjaft e kujdesshme, bujare dhe e dashur me mjekët turq që punojnë në Spitalin Memorial të Fierit, për t’i akomoduar në hotel jo dosido dhe jo larg vendit të punës.

Ky spital, i ndërtuar pak kohë më parë sot ka hapur një procedurë 39,592,000.00 Lekë për shërbimin e akomodimit të personelit turk që punon në Shqipëri. Ky, sipas qeverisë është një nga detyrimet e palës shqiptare gjatë fazës kalimtare të funksionimit të spitalit të ndërtuar nga Ankaraja.

Por shuma që po del nga arka e shtetit për të mbuluar shpenzimet akomodimit të personelit që do të emërohen në këtë projekt nga pala turke janë goxha të kripura për xhepin e shqiptarëve.

“5Pyetjet.al” publikon dokumentet e procedurës së tenderit që ka hapur spitali. Për 40 mjekë për 245 ditë shuma që paguhet nga qeveria shqiptare është jo e vogël, miliona.

Tek vendosja e kritereve për fituesin, spitali ka një listë të gjatë me kërkesa duke filluar nga vaska, çaji turk pa limit, lojërat, por edhe banketi në rastet e festave. Spitali kujdeset që shtretërit të jenë me dyshekë me teknologji bashkëkohore dhe të mirëmbajtur.

Gjithashtu që seti i çarçafëve të jenë pambuk ose një cilësi tjetër e lartë. “Mbulesat/ jorganët të jenë  me vatinë ose pupla ose ekuivalente. Modeli i jastëkut të jetë bashkëkohor dhe i mirëmbajtur. Dhomat të jenë me perde. Tualetet e të gjitha dhomave të jenë të gjitha me dush dhe VC ose vaskë dhe VC.

Hoteli merr përsipër të ofrojë çaj tradicional turk si dhe ujë të pijshëm pa limit sipas kërkesave të personelit turk. Hoteli ofron ambient të veçantë sportiv dhe argëtimi si lojra shahu, domino, si dhe krijon një ambient të hapur relaksues për periudhën jozyrtare të punës për personelin turk.

Hoteli merr përsipër që në rastet e festave zyrtare të shtetit turk të organizojë banketin e dedikuar për ekipin turk” kërkohet në relacionin shoqërues të procedurës. Vendndodhja e hotelit kërkohet që të jetë jo më larg se 10 km me rrugë automobilistike nga Spitali Rajonal “Memorial” Fier.

Me gjithë këto kushte, përpos pagës që sigurisht e kanë disa herë më të lartë homologët e tyre, pyetja që shtrohet është nëse do të largoheshin mjekët shqiptarë po t’u jepej kjo mundësi në atdheun e tyre?