Rama bëri të ditur këtë të premte se operacioni për sekuestrimin e objekteve pa leje do të vijojë dhe do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Ndërkohë, ai u shpreh se më lehtë kapen ata në fshat se ata në mes të Tiranës. “Më kollaj të shkosh të kapësh një katundar Tirone si puna ime, mua s’më kanë kap se e kam ndërtuar 100% sipas lejes, ndërkohë në zona ku ndërtohen kate të tëra nuk shkon askush”, tha Rama.

“Ajo që keni parë është vetëm fillimi i një procesi. Operacioni “Bregdeti ynë” ka filluar përpara sezonit, ka rifilluar tani dhe do të vazhdojë të shtrihet te të gjithë ata që kanë ndërtuar babëzisht për qëllime fitimi.

Të njëjtën gjë do bëjmë dhe me hotelet pa leje dhe me qendrat e biznesit pa leje. Dhe në të gjitha këto metra katrorë populli do të marrë pjesën e vet, pjesën që i takon. Patjetër dhe ata që janë përgjegjës, sidomos ata shefa komisariatesh në zonat e të cilëve është më kollaj të shkosh të kapësh një katundar Tirone si puna ime, mua s’më kanë kap se e kam ndërtuar 100% sipas lejes, por të shkosh për një avlli dhe një çati të ndryshuar nga halli pa leje, jo për ta shitur dhe për të bërë lekë, ndërkohë në zona ku ndërtohen kate apo metra të tëra nuk shkon askush”, u shpreh Rama.