Nga asambleja e PS-së, kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga socialistët një profil të ri politik në bazë, që të përballojë sfidën e së nesërmes që janë zgjedhjet vendore, por edhe garantimin për të qeverisur më gjatë. Ai tha se duhet të reagojmë shpejt që të mos përfundojmë si PD.

Përtej procesit dhe procedurës është shumë e rëndësishme se kjo nuk është një zgjedhje e radhës në PS, por me një rëndësi të madhe për të ardhmen e PS-së, jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, për të cilat ne e kemi nisur punën dhe të cilave do u kushtojmë vëmendjen e të gjithë pjesës së dytë të këtij viti dhe pjesës së parë të vitit tjetër, por është e rëndësishme për vitet që vijnë për këtë dekadë.

Është domosodshmëri për t’i dhënë partisë në drejtim jo vetëm impuls të ri, por profil të ri politik që na mungon, që na siguron që partia ka zë në territor dhe ku kryetari nuk janë hije të kryetarëve të bashkisë, as konkurrentë, as burokratë që bëjnë politikën e kuadrit të qeverisë, as zyrtarë që merren me punësime, por zëdhënës politikë të PS-së, që përçojnë zërin e PS-së në territor, që organizojnë partinë në të gjithë territorin. Garancinë për të qeverisur më gjatë nuk na e japin punësimet në shtet, edhe pse inercia vazhdon, por një PS që na përfaqëson me dinjitet. Ta kuptojmë sot përpara se të jetë vonë dhe të përfundojmë si kundërshtarët tanë.” tha ai.