ED-RAMA-752x440

Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste u shpreh sot gjatë takimit për prezantimin e kandidatëve të Tiranës se është shumë krenar për këtë skuadër sepse beson se me këtë skuadër i është dhënë Tiranës një ofertë e plotë, për të gjitha moshat, për të gjitha gratë dhe vajzat, për të rinjtë etj.

“Jam shumë krenar për këtë skuadër sepse besoj që me këtë skuadër ne i kemi dhënë të gjithë qarkut të Tiranës një ofertë të plotë. Të gjitha moshave një mundësi zgjedhjeje të plotë, i kemi dhënë vajzave dhe grave një buqetë ku mund të zgjedhin padyshim përfaqësuesen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, i kemi dhënë të rinjve dhe të rejave mundësinë që të bëjnë zgjedhjen e tyre duke u ndjerë pjesë e kësaj skuadre dhe pa diskutim i kemi dhënë të gjithë profesionistëve mundësinë që duke votuar për PS-në të kenë mundësi që në këtë skuadër të zgjedhin një vajzë, një djalë, një grua apo një burrë pa pasur asnjë dyshim se do të përfaqësohen denjësisht”, tha Rama.

Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë sipas kryeministrit Edi Rama dy anëtaret më të reja të Bashkimit Europian brenda pak vitesh.

Rama tha se kemi mundësinë reale për integrimin si kurrë më parë dhe sipas tij Partia Socialiste mund ta realizojë objektivin brenda vitit 2030.

“Për herë të parë, ne kemi një mundësi reale dhe aktuale që të bëhemi anëtar të BE. Nuk e kemi pasur para disa kohësh sepse pavarësisht detyrave tona dhe punës, ka dalë një vend njëherë, një tjetër një herë tjetër dhe kanë thënë jo. Ne kemi dashur, ata nuk kanë dashur. Ajo që na kanë përsëritur është që e ardhmja është tek ne, duhet të punoni më shumë. Ama unë jam dëshmitari, kurrë më parë deri tani që flasim nuk e kam parë atë që shoh sot dhe nuk e kam dëgjuar atë që dëgjoj sot, dëshirën e tyre që kjo të ndodh. Sa herë na thonin jo, unë i thoja do vazhdojmë punën. Kjo nuk mjafton, duhet dhe ata që duan dhe ata duan të zgjerojnë BE dhe i duhet të japin një mesazh që BE po zgjerohet dhe ka vetëm dy vende që mund të anëtarësohen shpejt Shqipëria dhe Mali i Zi. Është e qartë pse ata duan sepse bota është në situatë tjetër”, tha Rama.

Duke theksuar këtë objektiv madhor, Rama kërkoi që vota në 11 Maj të mos shkojë dëm dhe të mos hidhet askund tjetër përveçse te logoja e Partisë Socialiste.

“Me këtë skuadër u kemi dhënë një buqetë. U kemi dhënë të rinjve dhe të rejave mundësin të bëjnë zgjedhjen e tyre duke qenë pjese e kësaj skuadre. Me të gjitha kapacitetet tona kemi ndërtuar partinë më të re që është sot në fletën e votimit për Tiranën. Një parti të re, ama një shalqi me provë që brenda vetes ka dhe eksperiencën e këtyre viteve qeverisje duke i dhënë qytetarëve të Tiranës mundësinë që të shohin përpara përmes të resë dhe të ndihen të sigurt që rruga jonë përpara është e garantuar përmes eksperiencës. Hedhja e votës kudo tjetër përveçse te kutia e PS është ta çosh votën kot”, deklaroi shefi i qeverisë.