Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur mangësi të shumta dhe probleme gjatë kontrollit që ka bërë në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit për parashikimin dhe studimin e fenomeneve natyrore. Gazeta publikon pjesë nga raporti i KLSH-së.Sipas raportit, disa nga stacionet sizmik kanë problematika, godina në të cilën ndodhen pajisjet janë në kushte jo të mira dhe mungon infrastruktura.

Një nga detyrat dhe funksionet e IGJEO është dhe vlerësimi i riskut dhe rrezikut sizmik, hidrologjik dhe ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore, nga grupi i auditimit për gjatë periudhës objekt auditimi rezultoi se në strukturën e IGJEO mungon një njësi e specializuar vetëm për vlerësimin e riskut dhe rreziqeve natyrore brenda fushës së veprimtarisë së Institucionit, si një nga fushat prioritare të veprimtarisë së Institutit të Gjeoshkencave” thuhet më tej.

Në dokumente evidentohet edhe ajo që ndodhi në 26 nëntor të vitit 2019, tërmeti tragjik që la 51 viktima dhe qindra të plagosur në Durrës, Krujë dhe Tiranë. Sipas raportit u regjistruan vetëm 15 sekondat e para të goditjes së tërmetit për shkak se me ndërprerjen e energjisë nuk mund të vazhdonte regjistrimi i goditjes më tej dhe të tjerave në vazhdim.

Nga auditimi mbi investimet e kryera në fushën e Teknologjisë së Informacionit, u konstatua se ato janë në përpjesëtim të zhdrejtë me rëndësinë kombëtare që ka monitorimi i aktivitetit sizmik, meteorologjik dhe hidrologjik. Pasojat e mungesës së investimeve të domosdoshme në drejtim të teknologjisë së informacionit dhe më gjerë, janë vënë re gjatë ngjarjeve të fundit në vend.

Konkretisht, referuar regjistrimeve të vëna në dispozicion nga Departamenti i Sizmologjisë në IGJEUM në lidhje me tërmetin e datës 26.11.2019, i cili ka patur impakt në jetë njerëzish dhe dëme të shumta materiale, konstatohet se mungojnë të dhëna të plota nga stacioni i Durrësit, i cili është stacioni më i afërt me vatrën e tërmetit.

Ky stacion ka regjistruar vetëm 15 sekondat e para të tërmetit, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Nisur nga fakti që gjatë një tërmeti të fortë ekziston një probabilitet i lartë për ndërprerjen e energjisë elektrike, është e domosdoshme pajisja e stacioneve sizmologjike me bateri (UPS) të cilat mundësojnë regjistrimin e të dhënave edhe nëse ndërpritet energjia elektrike.

Theksojmë se funksionimi i rregullt i tre rrjeteve sizmike në vendin tonë është i rëndësishme për parashikimin dhe monitorimin e katastrofave natyrore në kohë reale, duke marrë masa në drejtim të mbrojtjes së jetës së njerëzve dhe reduktimin e dëmeve materiale” thuhet në dokumente.

Për këtë arsye, KLSH kërkon investime në këtë institucion. Institucioni i kontrollit thekson se shkalla e ulët e realizimit të Investimeve tregon se niveli i bashkëpunimit midis Institutit të Gjeoshkencave dhe Universitetit Politeknik të Tiranës që e ka në varësi është i pamjaftueshëm.

IGJEUM në bashkëpunim me UPT, duke marrë shkas edhe nga problematikat e shfaqura gjatë tërmetit të datës 26.11.2019, të marrin masat e nevojshme për analizimin e situatës dhe hartimin e një plan veprimi të ndarë në 3 faza, afat shkurtër, afat mesëm dhe afat gjatë, për kryerjen e ndërhyrjeve në sistemet IT si dhe në ambientet fizike ku këto sisteme janë, me qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme për mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave që këto sisteme kanë, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të fushës”.

Në fund, KLSH thotë se Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit nuk ka në përbërje strukturë të teknologjisë së informacionit, madje asnjë pozicion specialisti IT, duke krijuar risk të lartë mbi identifikimin, trajtimin dhe zgjidhjen e problematikave të ndryshme të Teknologjisë së Informacionit në institucion.