Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka dhënë informacion mbi situatën në vend, për shkak të motit të keq.

Ministri ka bërë me dije se për çdo rast janë në gatishmëri ndërsa ka lajmëruar se disa prej lumenjve janë fryrë duke kaluar kuotat normale.

Peleshi bëri me dije se janë marrë masa që të mos ketë bllokim të akseve rrugore dhe se punonjësit e OSHEE, janë duke punuar për të rikthyer energjinë në disa fshatra ku ka patur shkëputje.

Ndër të tjera, ministri sqaron se ka patur fryrje të lumit Drin, Bunës dhe Matit. Në disa prej qarqeve ka patur shembje inertesh, ndërsa në disa zona ka patur përmbytje të sipërfaqes së tokës për shkak të reshjeve intensive

Alarmi nga autoritetet ne vend ka nisur qe nje dite me pare për shkak të reshjeve të dendura, të cilat mund të sjellin përmbytje.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje bashkive të Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Vlorës dhe Gjirokastrës që të marrin masa në lidhje me reshjet intensive të shiut që pritet të bien në këto qarqe gjatë orëve në vijim.

Lajmi është bërë publik përmes një postimi në Facebook nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili u kërkon gjithashtu bashkive në këto qarqe që të marrin masa për të shmangur përmbytjet dhe rrëshqitjen e dherave.

“Duke marrë në analizë modelet e fundit të hartave meteorologjike, pritet që mbi vendin tonë në orët në vijim në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, të ketë reshje intensive të cilat mund të sjellin vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël dhe përmbytje në zonat urbane.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile i bën thirrje pushtetit vendor të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.

Ne do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha situatave që mund të krijohen, duke garantuar ndihmë të menjëhershme në çdo rast emergjence”, shkruan Peleshi në Facebook.