Rritja e çmimeve ka ulur ndjeshëm konsumin e familjeve me të ardhura të mesme e të ulëta. Drejtori i politikave monetare në Bankën e Shqipërisë argumenton se rritja e inflacionit ka prekur më shumë buxhetin e kësaj kategorie e cila i përdor të ardhurat kryesisht për të siguruar ushqimet. Ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit i cili ka kapur nivelin rekord 7,5% gjatë korrikut e kanë pasur ushqimet dhe karburanti.
Banka Qendrore ka një parashikim më optimist për sa i përket ecurisë së inflacionit. Pritet që rritja e çmimeve të stabilizohet në fund të këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm të nisë rënia.
Në rishikimin e fundit të buxhetit qeveria ka parashikuar një fond prej 12.1 mld lekë për paketën sociale për të kompensuar rritjen e çmimeve por ende nuk ka detaje në lidhje me shpërndarjen e fondeve.