Moti i keq me reshje dëbore dhe shiu ka përfshirë thuajse të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në mesditë, Bashkia Fushë Arrëz njoftoi se ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar nga dëbora në njësitë administrative malore Iballë, Blerim, Fierzë e Qafë-Mali. Trashësia e dëborës ka shkuar 1 metër, ndërsa zona të tëra janë pa energji elektrike.

Një situatë alarmante është krijuar edhe në Lezhë për shkak të erës së fortë dhe reshjeve të dëborës. Problematike gjatë ditës së sotme ka qenë edhe lëvizja e mjeteve në aksin e vjetër Milot-Lezhë, ku për shkak të reshjeve dhe erës së fortë, një kamion është përmbysur në anë të urës.

Pas reshjeve të dendura të dëborës i gjithë rrethi i Bulqizës është gjatë pasdites është pushtuar nga ngricat dhe temperatarat e ulëta deri në minus 10 gradë. Ulja e temperaturave ka vështirësuar edhe më tepër qarkullimin e mjeteve por jo vetëm.

Ngricat kanë vështirësuar edhe lëvizjen e banorëve në qytetin e Bulqizës, ku për shkak të akullit të formuar në rrugë, disa banorëve u është rrezikuar jeta, pasi janë rrëzuar në pedonalen e qytetit.

Në segmented Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel vazhdojnë reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje dhe segmentet janë të hapura.

Në akset Vau Dejës-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore. Po punohet me 4 borëpastruese. Qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, veçanërisht në segmentin Fierzë-Qafë Shllak pasi era e fortë përhap dëborën nga bankina në rrugë.

Edhe në akset Qafë Plloçë-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë kanë nisur reshjet e dëborës me intensitet, po punohet me borëpastruese për pastrimin e tyre. Qarkullimi vijon normalisht.

  • Probleme me energjinë elektrike

Si pasojë e motit janë 37 fidera jashtë pune. Situata më e rënduar me defekte konstatohet në rajonin e Burrelit, Shkodrës dhe Kukësit, ku stakimi i energjisë ka ardhur si pasojë e këputjes së përcjellësave, thyerjes së izolatorëve apo dëmtimi i kabllove. Defektet më së shumti janë evidentuar në zonat e thella rurale ku linjat janë ajrore. Gjithashtu, ka pësuar defekt edhe një prej fiderave të nënstacionit Lezhë, i cili furnizon me energji elektrike Hidrovorin Gocaj dhe Fideri 7 N/St Lezhë që furnizon me energji elektrike hidrovorin Grykëzezë. Të gjitha linjat 35Kv, si dhe fiderat e tjerë dalës 20/10/6 KV që furnizojnë hidrovorët janë në skemë normale të furnizimit me energji elektrike.

Prej mëngjesit të sotëm, si pasojë e erës së fortë, janë stakuar linja 400 kV Tirana 2 – Podgoricë dhe Tirana 2-Koman, pa ndikim tek konsumatorët. Situata në kaskadën e Drinit paraqitet normale.

  • Portet dhe aeroportet

Në Portin e Durrësit situata oparaqitet normale. Tragetet kanë mbërritur në kohë dhe në terminalet portuale vijon pa ndërprerje përpunimi i mallrave. Edhe në Portin e Vlorës nuk raportohen problematika. Lëvizja e tragetit ka vijuar sipas orarit të parashikuar. Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka vijuar punën normalisht pa vonesa apo anulime. Edhe në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk janë evidentuar problematika.