Serbia e autokratit Aleksandër Vuçiç nuk surprizoi as kësaj here. Zgjodhi të mos e dënonte agresionin rus në Ukrainë dhe as të mbështeste sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Europian. Disi e pritshme kjo për shkak të lidhjeve të forta historike me Rusinë, por e habitshme për një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
Megjithatë më shumë sesa shqetësimi për qëndrimin e Serbisë në raport me këtë konflikt, për ne ka rëndësi pozicionimi i Shqipërisë kur është fjala te “Ballkani i Hapur.” Ç’kuptim ka ky bashkëpunim në këtë kontekst të ri të zhvillimeve? Kryeministri Edi Rama nuk dha shenja tërheqje teksa është pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp në përfundim të samitit të NATO-s. Ai e mbrojti këtë projekt dhe tha se për momentin s’ka asgjë për t’u shqetësuar.
Ne nuk kemi pasur ndonjë mungesë qartësie apo informacioni për pozicionin e Serbisë nga pikëpamja e politikës së jashtme kur kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur që të sulmohej Ukraina që të zbulonim lidhjet e Serbisë me Rusinë. Përsa i përket ecurisë së mëtejshme të Ballkanit të Hapur kjo është një cështje që pret pasi do të shikojmë në vijim shumë gjëra se si do të zhvillohet ky proces. Nuk jemi në ‘Ballkanin e Hapur’ për të përputhur miqësitë, për të bërë Serbinë aleate të SHBA-së.
As ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qëndrimin ndaj Moskës. As nuk na ka shkuar ndërmend kjo gjë. Marrëdhëniet tona në funksion të Ballkanit të Hapur janë strategjike rajonale për të shmangur rritjen e konfliktit që do t’i bënte një dëm të paparë rajonit. Ballkani i Hapur është më shumë sesa një projekt lokal, është një projekt që mbështetet nga SHBA dhe nuk e ka më atë kundërshti që ka pasur. Për momentin nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha Rama.