Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka pezulluar dy efektivë policie, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.

Bëhet fjalë për shtetasit E. H. dhe R. M. punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Elbasanit, ndaj të cilëve ka nisur një hetim për shkelje të rëndë disiplinore. Procedimi disiplinor ka nisur krahas procedimit penal të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. H. është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasin R. M., 23 vjeç (punonjës policie, në Komisariatin e Elbasanit), gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit. Gjatë konfliktit, shtetasi R. M., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë, shtetasin E. H., i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.” thuhet në njoftimin e AMP-së

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po kryen hetimet e mëtejshme për këtë rast, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Po ashtu, nga radhët e unifromave blu është përjashtuar edhe efektivi Geraldo Nela, 24 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Cërrik. 24-vjeçari u arrestua një ditë më parë, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Ai akuzohet se ka grabitur një shumë prej 3o mijë eurosh gjatë kontrollit në banesën shtetasit Syrja Kuqi me banim në Marinzë, Belsh