E bukur dhe e paqtë, me një kurorë me lule të bardha në kokë, 4-vjeçarja Liza Dmytrieva, e cila u vra nga një sulm rus me raketa, u varros të dielën në Ukrainën qendrore. Prifti ortodoks nuk i mbajti dot lotët dhe duke iu drejtuar familjarëve të saj tha “e keqja nuk mund të fitojë”.
Siç shkruan Associated Press, Liza, e cila kishte sindromwn Down, ishte rrugës tek një terapist i të folurit me nënën e saj, kur raketat ruse goditën qytetin e Vinnytsia të enjten, shumë larg nga fronti i luftës. Të paktën 24 persona mbetën të vrarë, përfshirë Lizën dhe dy djem të moshës 7 dhe 8 vjeç, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u plagosën, mes tyre edhe nëna e Lizës.
“Shih lulja ime! Shih sa njerëz kanë ardhur për ty”, tha gjyshja e Lizës, Larysa Dmytryshyna, ndërkohë që e përkëdhelte vogëlushen në arkivolin e hapur të mbushur me lule dhe arushë.
Babai i saj, Artem Dmytriev, qëndroi në heshtje, ndërsa lotët i rridhnin në faqe.
Nëna e Lizës, 33-vjeçarja Iryna Dmytrieva, mbetet në kujdes intensiv, në gjendje të rëndë. Familja nuk i tha se Liza varrosej të dielën, nga frika se gjendja e saj mund të përkeqësohej.
“Mami as nuk të pa sa e bukur je bërë sot”, vijoi Dmytryshyna duke vajtuar.
Kur nisi lufta, Dmytrieva dhe familja e saj u larguan nga Kievi për në Vinnytsia, një qytet që ndodhet rreth 240 kilometra në jugperëndim, që deri të enjten konsiderohej relativisht i sigurt.
Shumë pak kohë përpara shpërthimit, Dmytrieva kishte postuar një video në rrjetet sociale të vajzës së saj të vogël që ecte e lumtur nëpër rrugët e Vinnytsia.
Pas sulmit ajror rus, Shërbimi i Emergjencës Ukrainase ndau foto që tregonin trupin e saj të pajetë në tokë… Zonja e parë e Ukrainës kujtoi sa e qeshur dhe e lumtur ishte vajza e vogël kur e takoi.
“Nuk e njihja Lizën, por askush nuk mund të qëndrojë i qetë përballë kësaj. Sepse çdo varrim është hidhërim për të gjithë ne. Po humbin vëllezërit dhe motrat tona”, tha prifti ortodoks Vitalii Holoskevych, teksa shpërtheu në lot. Ai ndaloi e më pas me zërin që i dridhej shtoi: “Ne e dimë që e keqja nuk mund të fitojë”