Shkëlzen Berisha ka reaguar ashpër pas shkrimit të kryeministrit Edi Rama, i cili merr në mbrojtje ndërtuesit e kullës 65-katëshe në Tiranë, që sipa fakteve të publikuara në media, janë njerëz të afërt me familjen Berisha.
Teksa mohoi akuzat disa ditë më parë, Shkëlzen Berisha e ftoi Ramën të revokonte lejen për kullën, ose ndryshe “ta hante me nder”. Ndërkohë, gazetari Mero Baze shkruan se kulla po ndërtohet nga Agim Zeqo dhe Gerian Kuka .
Sot, pas shkrimit të kryeministrit që u pa si një “dritë jeshile” për ndërtimin e kullës, Shkëlzen Berisha thotë se Rama zgjodhi “ta hajë me nder”.
Ai madje e akuzon Ramën se ka 20%-shin e tij në kullë.
Kulla që do të ndërtohet në lulishten pas TOB është komentuar si një aferë e qeverisë për kapjen e opozitës. Por Shkëlzen Berisha thotë se s’ka lidhje me të, ndërsa Edi Rama e paraqet si një sukses në transformimin e Tiranës.
Reagimi i Shkëlzen Berishës:
Sepse 20%-shi vlen më shumë se balta!
Ashtu siç dhe pritej vendosi ta hajë me “nder” njëlloj siç ka ngrënë me qindra pazare të tjera 20%-she ndërsa betonizonte Tiranën, gjatë gjithë karrierës së tij 30 vjeçare, për të “mirën” e vendit dhe të popullit! Kjo për faktin e thjeshtë se, 20%-shi i radhës vlen më shumë se përbaltja e kundërshtarit! Por në këtë rast nuk e hëngri krejt vetëm por la dhe për derdimenët e tij mediatikë që vazhdojnë llomotitjet se fajin për skandalet që firmos Rama e ka …. Shkëlzeni!