Kryeministri Edi Rama e quan gënjeshtër raportin e Reporterëve pa kufij, që e cilësuan problematike situatën për lirinë e mediave në Shqipëri, duke zbritur me 20 vende në renditjen botërore.
Rama shkruan në një postim në Twitter se në Shqipëri viktimat e vërteta janë ato që preken nga shpifjet e mediave, dhe nuk ka asnjë gazetarë që të jetë prekur nga dhuna policore.
Sipas Ramës, në vendin ku ai drejton qeverinë prej më shumë se 9 vitesh, nuk ka media të intimiduara.
Edi Rama:
E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin,në emër të saj!
Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!
Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s’ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s’ekziston!