Në Gjirokastër çmimet e produkteve bazë ushqimore kanë pësuar rritje të ndjeshme përgjatë Dhjetorit.

Në tregun e produkteve të tryezës mishi dhe nënproduktet e qumështit kanë një rritje me gati 30% në krahasim me vitin e kaluar.

Produkte të tilla si mishi i të imëtave gati e kanë dyfishuar çmimin përgjatë 2 viteve të fundit duke arritur në nivelet e 1600 apo 1700 lekë për kg. Për familjet me të ardhura të pakta dhe për të moshuarit kjo periudhë e vitit në prag të festave bëhet shumë e vështirë për tu përballuar.

Perimet dhe frutat me origjinë lokale mbajnë këtë fundviti një çmim shumë më të lartë se produktet e importit kjo edhe për shkak të sasisë të paktë që vjen nga fermat rurale përreth Gjirokastrës. Frutat e thata si arrët, bajamet, lajthitë kanë një rritje mesatare prej gati 100 lekësh për kg.

Në Gjirokastër pothuajse çdo familje ka një anëtar në emigracion. Mbërritja e emigrantëve për festat nxit gati çdo fundviti një rritje abuzive të çmimeve. Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë të përqendruara këto ditë kryesisht tek cilësia, produktet e paçertifikuara apo datat e skadencës por tashmë është bërë traditë që çmimet të mbajnë një kurbë në rritje përgjatë ditëve të fundvitit deri në largimin e emigrantëve  pas javës së parë të Janarit.