Këtë të hënë Prokuroria e Tiranës ka arrestuar disa persona për mashtrime me kreditë.

Kështu bëhet me dije se 11 qytetarë kanë rënë pre e mashtrimit nga Ledio Vrapi, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Ndërkohë tre punonjës të Fondit Besa, Lindita Ndroqi, Eros Aliu dhe Lindita Peçi janë arrestuar dhe më pas janë lënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Këtu del sërish në skenë emri i noteres Majlinda Demollarit.

Si funksiononte skema e mashtrimit?

Ledio Vrapi futi në kurth 11 qytetarët dhe i shtyu të hapnin llogari bankare me emrin e tyre dhe të aplikonin për kredi pranë Fondit Besa. Lekët që od të merrnin doi ia kthenin sërish Vrapit, ndërsa ata vetë në këmbim do të merrnin nga 500 mijë lekë të vjetra. Qytetarët, e përdorur në skemën e mashtrimit nuk e dinin se ishin duke marrë  kredi.

Për këtë Vrapi ka bashkëpunuar me dy punonjës të Fondit Besda, Eros Aliu dhe Lindita Peçi. Këta dy të fundit kishin rolin e oficerit të kredisë në institucionin financiar në lidhje me personat e mashtruar. Po ashtu “ekipit” të mashtruesve u eshtë bashkuar Lindita Ndroqi.

Roli i noteres

Majlinda Demollari me profesion notere është përfshirë në skemën e mashtrimit pasi ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.

“Personat e dëmtuar nuk janë paraqitur ndonjëherë në zyrat e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument për marrjen e kredive, nuk kanë nënshkruar kontratat noteriale për marrjen e kredive, nuk kanë pasur dijeni në lidhje me ekzistencën e kredive në emër të tyre. Punonjësit e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a kanë qënë plotësisht në dijeni të faktit se personat e dëmtuar nuk janë paraqitur në zyrat e tyre, për të aplikuar për kredi dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kredisë, por kanë plotësuar dosjen e aplikuesve me dokumente me përmbajtje të falsifikuar”, thotë akuza.

NJOFTIMI I PROKURORISË:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon masa sigurie ‘Arrest në burg’ dhe ‘Arrest shtëpie’ për 5 persona nën akuzë për veprat penale të ‘Mashtrimit’ dhe të ‘Falsifikimit të Dokumenteve’. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra nga 11 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.

Shtetasi L.V., ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare. Po kështu, shtetasi L.V., nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.

Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi L.V., ka bashkëpunuar me shtetasit E. A. dhe L. P., të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qënë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar. Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen L. N., e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm.

Personat e dëmtuar nuk janë paraqitur ndonjëherë në zyrat e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument për marrjen e kredive, nuk kanë nënshkruar kontratat noteriale për marrjen e kredive, nuk kanë pasur dijeni në lidhje me ekzistencën e kredive në emër të tyre. Punonjësit e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a kanë qënë plotësisht në dijeni të faktit se personat e dëmtuar nuk janë paraqitur në zyrat e tyre, për të aplikuar për kredi dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kredisë, por kanë plotësuar dosjen e aplikuesve me dokumente me përmbajtje të falsifikuar.

Sa më sipër, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasi L. V., në bashkëpunim me shtetaset L.N., E.A. dhe L.P., kanë krver veprën penale të “Mashtrimit”, me pasoja të rënda dhe të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Po kështu, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasja M. D., në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga personi që e ka për detyrë, në 11 raste, të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon:

–           Të caktohet ndaj personit nën hetim L.V., masa shtrenguese e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale;

–           Të caktohet ndaj personave nën hetim L.N., E.A., L.P. dhe M.D., masa shtrënguese e sigurimit personal “arrest në shtepi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale;

–           Të caktohet ndaj personit nën hetim M.D. edhe masa ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.