Një rrjet spiunësh rusë ka punuar për të penguar anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar kryeministri bullgar Kiril Petkov. “Ballkani Perëndimor mund të jetë zona e radhës e konfliktit në Europë pas Ukrainës“, tha kryeministri bullgar Kiril Petkov.

Në fakt sipas tij interesi i Rusisë është të mos ketë të ardhme europiane për Ballkanin Perëndimor, theksoi Petkov. Pretendimi i kryeministrit bullgar për përfshirjen ruse në vendimin për të bllokuar përparimin e Maqedonisë së Veriut në BE pason një seri skandalesh spiunazhi në Bullgari, pas të cilave u dëbuan shumë diplomatë rusë me dyshimin për spiunazh.

Në orët e fundit prokuroria speciale hetoi zyrat e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, DANS, mbi dyshimet për spiunazh rus dhe ndikimin tek qeveria e mëparshme e Boyko Borisov e cila ka vendosur veton ndaj Shkupit.

Para disa ditësh Bullgaria dëboi 10 diplomatë ruse, ndërsa ambasadorja ruse, Eleonora Mitrofanova, rrezikon të shpallet persona non grata.

Petkov, ka marrë qëndrime të qarta pro BE-së dhe NATO-s, por ai është peng i pozicioneve të ndryshme brenda koalicionit të tij qeverisës katërpartiak, ku Partia Socialiste Bullgare pro-ruse po bllokon çdo iniciativë për hapjen e negociatave sidomos pasi në vendin fqinj rezultuan vetëm 3500 bullgarë.

Në lidhje me shifrat e ulëta të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut kryeministri Kiril Petkov ka propozuar një regjistrim të ri pasi atje të ndryshojë kushtetuta duke vendosur një opsion për ata që deklarohen si bullgarë. Kryeministri Petkov i është zotuar personalisht presidenti amerikan Biden në takimin e Brukselit se do të heqë veton për fillimin e negociatave deri në fund të muajit Qershor./ Tvklan