
Klodiana Lala ka folur për krimin në zgjedhje, por edhe për fenomene të tjera që janë parë në listat e kandidatëve.
Lala tha se “deputetllëku” tashmë po trashëgohet nga prindi te fëmija, si pronë private. Për këtë ajo citoi rastin e Agron Çelës në Shkodër që ka vendosur në listë të bijën me PS-së dhe tashmë votat do t’i kalojnë asaj, por edhe rastin e Aqif Rakipit që nuk kandidon dot vetë për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe në vend të tij kandidon i biri, i cili edhe në zgjedhjet e kaluara mori aq shumë vota se mundi të thyejë herësin dhe të marrë mandatin me PS-në.
“E shoh ndikimin e krimit në disa drejtime, aspektin financiar, kanë para kesh dhe mund t’i lëvizin lehtësisht për të blerë influencë. Bëjnë edhe rolin e bamirësit.
Pjesa tjetër, përmes frikësimit. Në listat e mazhorancës, kupton që në Durrës janë njerëz pa asnjë eksperiencë dhe kontribut në PS, papritur janë kandidatë për deputetë, sepse mbështeten nga krimi.
Pjësa e dytë, nëse ndalemi të Shkodra, kemi patur deputet Agron Çelën, ikur nga LSI, kaloi në PS, tani nuk është më kandidat për deputet, por në listë është vendosur vajza e tij. Pra është vajza që kandidon për deputete.
Ka qenë Aqif Rakipi, u largua nga Kuvendi për shkak të dekriminalizimit. I biri, Ornaldo Rakipi, ishte i treti që theu herësin dhe mori shumë vota. Cili ishte kontributi i Ornaldo Rakipit për të qenë në listën e kandidatëve dhe për të thyer herësin? Të gjitha këto janë dyshime të arsyeshme që më vijnë.
E njëjta me PD, ndihet ndikimi.
Thelbi është a do të arrijë SPAK, sepse ka strategji për krimet zgjedhore, të sigurojë prova të mjaftueshme, ti godasë në fushatë apo gjatë zgjedhjeve?”, tha ndër të tjera Lala.