Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit thotë se kuqezinjtë nuk do të kërkojnë asgjë tjetër përveç fitores n përballjen e nesërme me Moldavinë.
Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër me Moldavinë, ndeshja e parafundit në fazën e eliminatoreve të Euro 2024.
Në një konferencë për mediat, Silvinjo nuk i fshehu qëllimet, duke e konsideruar ndeshjen e nesërme si një finale dhe qëllimi i vetëm i kuqezinjve është fitorja. “Barazimi është një pasojë”, u shpreh ai.
“Të dy hyjnë në lojë për të fituar, dhe ne do të hyjmë nesër në lojë për të fituar. E dimë që ata janë shumë të fortë në shtëpi, kanë barazuar me Çekinë, ata luajnë për të fituar, ne luajmë për të fituar. Nëse dy skuadra barazojnë do të thotë që asnjëra nuk ishte e aftë për të fituar, unë barazimin e shoh si pasojë. Nesër kemi një finale. Siç edhe thashë, nesër me forcat tona do të kërkojmë fitoren”, deklaroi Silvinjo.
Shqipëria, që kryeson grupin E, mund të kualifikohet lehtësisht me barazim, majde edhe me një skenar humbjeje në ndjeshjen e nesërme, por në rast fitoreje, kuqezinjtë presin biletën për Euro 2024 në Gjermani.
Ndeshja e fundit është ajo me Ishujt Faroe, që do të luhet në “Air Albania” në 20 nëntor, dhe pritet të jetë më tepër se gjithçka tjetër, një festë.