Ish-deputeti Selami Jenisheri vazhdon të lëshojë “perla” edhe tani që nuk është në vëmendjen e publikut. Së fundmi, ai i është drejtuar me një letër kreut të FSHF-së, Armando Duka, ku i tregon “çelësin” e suksesit për fitoren e ndeshjes me Çekinë, e vlefshme për kualifikueset e kampionatit europian.
Në letrën e tij, Jenisheri shkruan se ka bërë një studim, për një stërvitje që lojtarët e zakonshëm i kthen në nivelet e ekipeve kombëtare, ku më pas shiteshin edhe bëheshin milionera. Sipas tij, stërvitja që ai ka përgatitur është vlerësuar nga trajnerët e federatave europiane, si më e mira nga ajo që di FIFA sot për sot.
Jenisheri shkruan se nëse lojtarët e Shqipërisë mësojnë rregullat e stërvitjes së tij i bën lojtarët që të driblojnë nga 2-3 kundërshtarë rresht, janë tepër të saktë në gjuajtjen me kokë, bombardues e super të saktë në pasime dhe gjuajte, si dhe të pa kalueshëm në mbrojtje dhe kjo do të na japë një fitore.
ish-deputeti shton se ajo që di ai është shumë herë më e lartë nga ajo që di stafi i kombëtares, teksa bën me dije se po shkruan një libër që do të jetë progres në rang të literaturës botërore të futbollit.