Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar disa përgjime audio, në të cilat, sipas saj, dëgjohet kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke folur me një fjalor banal dhe duke dhënë udhëzime se si mund të vihet nën kontroll FSHF.

Bëhet fjalë për një takim të Veliajt me trajnerët e futollit dhe mësuesit edukimit fizik, ku diskutohet për zgjedhjet në asamblenë e FSHF për Tiranën.

“Fraza shumë të rëndë”, tha një zëdhënës i FSHF teksa publikoi përgjimet. “Fjalor prej një rrugaci, një të forti lagjje, në ca momente edhe si prokuror”, shtoi ai.

https://www.youtube.com/watch?v=emUUCQVgh2Q

Por cila është përmbajtja e përgjimit?

Zoom.al po zbardh disa prej këtyre frazave:

“Nesër do të mblidhemi në parkun Olimpik të Tiranës dhe do të shkojmë te Federata Shqiptare e Futbollit për t’i bërë shurrën në shëpinë e tyre”.

“Jo UEFA dhe FIFA të zbresin, por Jezusi me Muhamedin të zbresin nuk e ndalin dot luftën time.”

“Unë do bëj cdo gjë për t’ua nxirë jetën këtyre, me prokurori dhe me SPAK. Tani edhe ne po të duam të tërhiqemi nuk tërhiqemi dot, sepse prokuroria është vënë në lëvizje”.

“Futbolli është i vetmi ishull që na ka mbetur pa vënë nën kontroll”.

 “Po mirë për Sulë (i drejtohet Sulejman Memës, kryetarit të Shoqatës Rajonale të futbollit Tiranë), që qesh me mu, po si ka mundësi që ju ka marrë dinjitetin, ju ka marrë burrërinë, si mund të presë robi koqet dhe të sillet si një rrotë k*ri, ndërkohë që është njeri i futbollit, ka luajtur gjithë jetën futboll”.

“Ne nuk jemi k*rva që të fshihemi, jemi burra dhe 40 burra do të shkojmë aty për t’i bërë shurrën”.

“E di që kanë bërë disa veta gabim. Sot do te keni edhe juristin edhe noterin në sallë. Është noteri në fund të sallës? Po. Dy noterë dhe do të firmosin. Çdo gjë e firmosur deri tani nuk vlen. Hyn në fuqi sot. Kemi noteri ne. Çdo gjë është aty, që ata mund të kenë firmën deri tani, nuk vlen. Dhe votat tona janë sot këtu me noterin tonë.”

“Pasi të shpartallojmë Tiranën, do ikim qytet më qytet. Jam kryetar Bashkie. Dua ta kontroll unë futbollin, shtëpinë time. Futbolli është një nga dhomat e shtëpisë time. Ju do të mbështesni në bllok kandidatin Eduard Prodani.”

FSHF dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, janë përfshirë prej ditësh në replika, teksa zgjedhjet për presidentin e FSHF po afrojnë. Procesi do të zhvillohet me 2 mars dhe mazhoranca duket se do të mbështesë një kandidat të saj, edhe pse politika nuk duhet të interferojë në këtë proces, pasi UEFA dhe FIFA e kanë ndaluar.
Në zgjedhjet e kaluara përballë Armando Dukës kandidoi i ndjeri Bashkim Fino, i cili ishte edhe deputet i PS. Në këto zgjedhje, mesa duket, beteja politike kundër Dukës, i është ngarkuar kryebashkiakut Erion Veliaj.